As sjellja prej badigardi e z.Nishani për rastin Fazlliç, as sjellja prej Shvejku e z.Alibeaj, nuk janë sjellje të denja shtetarësh. Më idiot akoma u tregua një farë kryetari i një dhome industrie, i cili pa ia bërë syri tërr, shpreh shqetësim për akuzat që i bëhen “biznesmenit Fazlliç”.
I mbrojti të gjithë biznesmenët shqiptarë nga njëmijë e një tollovira ky zotëria, dhe i ngeli pa mbrojtur Fazlliçi.
Unë Berishës do t’i jepja një këshillë: Ta këshillonte Fazlliçin të shkonte vetë në Prokurori. Shkuarja në Prokurori është një gjë normale për një qytetar. Ne shkojmë në prokurori tre katër herë për një aksident të thjeshtë, apo një vjedhje portofoli në rrugë, e pse nuk shkoka Fazlliçi në Prokurori? Nga kush ka frikë?
Pse nxituan ta përcillnin Fazlliçin një minutë e më parë nga Shqipëria, të shoqëruar me eskorta e me drejtorin e minikomisariatit të Rinasit? Pse të mos priste ky biznesmen , aq më tepër mik i kryeministrit edhe 24 orë?! Pse të ikte aq turravrap kur ai ishte i ndershëm dhe i pastër?!