Kryeministri, po përpiqet të shmangë hetimet rreth Damir Fazlliçit, duke devijuar rrugën normale të tyre përmes një hetimi ndërkombëtar dhe duke futur nën presion politik kryeprokuroren, Ina Rama, ndaj së cilës premtoi se do të ngrejë një komision hetimor parlamentar. Kryeministri u shfaq para gazetarëve, pasi kishte konsumuar më parë tre ministra të kabinetit, disa deputetë dhe median që ka nën kontroll, për të sulmuar Prokuroren e Përgjithshme dhe për të mbrojtur Damir Fazlliçin.
Kërkesa e tij për një komision parlamentar që të hetojë raportet Prokurori - Ministri e Drejtësisë, është qesharake, pasi raportet mes dy institucioneve janë ligjore, dhe mund të verifikohen në rrugë administrative.
E gjithë kjo ndërmarrje bëhet për t’i kujtuar Ina Ramës fatin e Dhori Sollakut, edhe pse kjo e fundit, ndryshe nga Sollaku, po akuzohet jo për mosveprim, por për veprim të shpejtë ndaj një krimi. Ka tri ditë që një ekran, i cili është kthyer si qendër zëri e kryeministrit, akuzon kryeprokuroren pse e hapi kaq shpejt çështjen ndaj Fazlliçit. Kjo të lë të kuptosh se, për këtë qeveri, veprimi i shpejtë ndaj krimit, përbën krim më vete.
Spekulimi i dytë i zotit Berisha është kërkesa e tij për një hetim ndërkombëtar për Damir Fazlliçin, për të parë nëse Fazlliçi, ka marrë ose jo pará nga financat publike shqiptare, apo pronat publike. Por një objekt i tillë hetimi ka nisur.
Prokuroria ka nisur hetimet ndaj tij dhe aferave të tij financiare në Shqipëri, nën këshillat juridike të vajzës së Sali Berishës, nën këshillat financiare të mbesës së Sali Berishës dhe nën administrim të kunatit të ministrit të Jashtëm të Sali Berishës. Nëse kryeministri i Shqipërisë nuk ka besim te hetimi shqiptar, ai mund të rihapë çështjen ndaj Fazlliçit dhe të ankohet në Gjykatën e Strasburgut.
Fazlliçi rezulton të ketë prodhuar më së paku evazion fiskal me veprimet e tij. Këto janë paratë publike të shqiptarëve, që Berisha ia ka falur Fazlliçit, duke i hequr nga xhepat tanë. Kaq mjafton që ai të shkojë para drejtësisë shqiptare. Para drejtësisë ndërkombëtare, nëse do të shkojë, le të shkojë, se ka plot akuza dhe për Gjykatën e Hagës nga bashkëkombësit e tij boshnjakë dhe serbë. Ne duhet ta gjykojmë dhe hetojmë Damir Fazlliçin për fajet shqiptare dhe jo për fajet rajonale.
Kryeministri Berisha duhet të kuptojë se nuk është qeveria ajo që dikton mënyrën se si do të hetohet një mik i qeverisë. Është detyrë e prokurorisë të merret me shkelësit e ligjit dhe pistat e hetimit të tyre. Qeveria nuk mund të diktojë pistën e hetimeve apo procedurën e hetimeve. Ajo thjesht ka të drejtë të zgjedhë mes prokurorisë dhe të kërkuarit nga drejtësia. Në këtë rast Berisha dhe njerëzit e tij, mes një kryeprokuroreje që e ka quajtur “Silvia Konti” dhe një sekseri që është përfolur të jetë “Tano Karidi” i Ballkanit, kanë zgjedhur të jenë qartë në anën e këtij të fundit.