India e tronditur nga faktet e përgjakshme të ditëve të fundit, gjithë zemërim pyet veten rreth boshllëqeve dhe mangësive në aparatin e saj të sigurimit që nuk arritën të parandalonin 10 terroristë, që kanë mbajtur nën tension qendrën nevralgjike të vendit për rreth 60 orë.
Tashmë, pasi forcat speciale kanë arritur që të risjellin normalitetin, të tronditur nga kjo “pakujdesi”, janë të shumtë personazhet që po japin dimisionet. Së pari, ministri i Brendshëm, Shivraj Patil, i cili largohet duke marrë mbi vehte «përgjegjësinë morale» mbi mungesën e vëmendjes ndaj asaj që ndodhi.
Pas tij edhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare, M. K. Narayanan, dhe i ardhshmi që mund të paraqesë dimisionet, është Vilasrao Deshmuk, kryetari i qeverisë së shtetit të Maharastra, kryeqyteti i së cilës është Mumbai .
Pa dashur të bëj analizën rreth mundësive që mund të kishin këta persona për të bërë diçka më tepër për të parandaluar atë që ndodhi, nuk mund të rri pa bërë krahasimin me Gërdecin shqiptar… në të cilin nuk kishte as terroristë të huaj dhe gjithçka e bërë me duart e veta dhe… përgjegjësia morale e gjithë atyre që kishin përgjegjësi lau duart me dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes (dhe kjo aspak spontane). Do të vijë një ditë ku të kemi politikanë të ndërgjegjshëm për besimin që populli ju ka dhënë me votën e tij?