Sipas Makiavelit, sundimtari i djeshëm apo politikani i sotëm, ashtu si edhe medalja, duhet të kenë dy anë, dy fytyra që duhet t’i shfrytëzojnë me mjeshtëri për arritjen e qëllimit. Atyre, në varësi nga momentet historike, zhvillimet e brendshme dhe të jashtme, nga shkalla e forcës dhe e mendimit të kundërshtarit, në rrugën e tyre për në pushtet apo për ta mbajtur atë, u duhet të shfaqen herë me pamjen e luanit, e herë të dhelprës, pra, duke i alternuar ato, apo në raste të caktuara edhe duke i shfaqur ato paralelisht. Madje, sikurse vë ne dukje Makiaveli, ky është edhe virtyti kryesor i një të fuqishmi.
Dhe, nëse zbresim në terrenin më konkret të marrëdhënieve mes faktorëve politikë dhe masës së gjerë të popullit, mund të themi se politikani i sotëm, sikurse dhe princi i djeshëm, priret nga moria e premtimeve dhe angazhimeve që do të realizojë gjatë qeverisjes së tyre. Dhe, mbajtjen e premtimeve nuk e konsideron një detyrë të tij, por pjesë të dinakërisë politike.
Për këtë ne jemi dëshmitarë edhe në gjithë këto vite tranzicioni që po kalon vendi ynë. Premtimet vërshojnë lumë, por realiteti përparon me shumë ngadalësi. Dyfytyrësia apo shumëfytyrësia politike, është kthyer për fat të keq në normë. Ndaj, shpesh, populli, kur është fjala për të ndërmarrë një veprim të rëndësishëm, thotë se duhet: “Shtatë hile dhe një trimëri”.