Është e vërtetë që projektet që po ofrohen, janë investime që Italia dhe vende të tjera të BE-së duan t’i bëjnë jashtë territorit të tyre, për shkak të impaktit që ato kanë në mjedis dhe kostot e larta që janë në vendet e tyre.
Por, të mos harrojmë që ne na duhen investime të tilla. Jemi një vend i paaftë për të prodhuar vetë, apo për të ndërtuar strategji afatgjata. Burrat tanë të shtetit kanë qenë në përgjithësi individë të joshur në ekstrem nga pushteti që kanë menduar vetëm për 4 apo 8 vitet e tyre të pushtetit dhe jo për atë që do lenë pas.
Prandaj kemi ardhur tek shitja e gjithçkaje, privatizimi i gjithçkaje, sepse administratat tona kanë qenë ndërmarrje të pasuksesshme, të pamundura për të menaxhuar problemet e vendit. Dhe, kur nuk ke pulën, do hash sorrën. Kështu që, italianët, grekët, spanjollët, amerikanët, do vijnë të bëjnë ato që ne nuk i bëjmë dot. Sigurisht që loja do luhet sipas rregullave të tyre.