Merkure, 07 Janar 2009 22:06:32

Lexoni versionin Print

“Energjia si liri”

“Energjia do të përcaktojë lirinë e një vendi”, -pati theksuar në vitin 1978 akademiku rus Sacharov. Shqipëria është tërësisht e varur prej burimeve hidrike, ku 99 % e energjisë elektrike prodhohet prej burimeve ujore,

Ing. Edmond Zeneli Student në doktoraturë / Universiteti Teknik i Çekisë, Pragë
Enjte, 04 Dhjetor 2008 09:07:00

“Energjia do të përcaktojë lirinë e një vendi”, -pati theksuar në vitin 1978 akademiku rus Sacharov. Shqipëria është tërësisht e varur prej burimeve hidrike, ku 99 % e energjisë elektrike prodhohet prej burimeve ujore, të vendosura kryesisht në kaskadën e lumit Drin. Asnjë burim i ri energjitik nuk është ndërtuar pas viteve ‘90, megjithëse konsumi është rritur disa herë.

Një tjetër arsye e krizës, mund të renditet menaxhimi i KESH-it (me dhe pa OSSH-në). Mund të them me bindje se KESH-i ka mbetur po e njëjta shoqëri, me po të njëjtin mentalitet e menaxhim, derisa në tre vite nuk ka bërë asgjë për të rritur performancën e vet teknike dhe ekonomike.

Drejtori i KESH-it mund të ngjitet në cilëndo majë mali, e ta këqyrë këtë realitet po të dëshirojë. Të këpusësh me pinca dy, tre, apo njëqind lidhje të paligjshme, është një detyrë, madje është shumë “lazaratase” për një kompani me qendër në Tiranë dhe një drejtor që aspiron të ndryshojë, madje dhe vizionin e zhvillimit të metropolit.

Me këtë nuk dua aspak të them që kjo është një punë pa bereqet, por është një punë e vockël, provinciale, nga ato që bëhen me një të rënë të lapsit. Madje, dhe në këtë pikë KESH-i ka dështuar, pasi ende nuk ka arritur ta zhdukë përfundimisht këtë dukuri mesjetare të mospagimit të energjisë.

Sot Shqipëria është një treg energjitik relativisht i izoluar. Mundësitë e transmetimit të energjisë janë të limituara. Ndërtimi i linjave të interkonjeksionit me Malin e Zi dhe Greqinë, do të na lejonin të kishim një shkallë lirie më shumë, sa i përket zhvillimit energjitik të vendit.

Në fakt, mungesa e një strategjie të qartë energjetike, e cila të marrë në konsideratë burimet ekzistuese të vendit, kapacitetet e tyre dhe prioritetet e zhvillimit, ka bërë që sot të endemi vërdallë, pa ditur se cila është rruga më e drejtë dhe e leverdishme. Ngritja e një komisioni në nivel ekspertësh, për të rivlerësuar dhe propozuar zgjidhje për energjinë, është tashmë një domosdoshmëri. Faktori politik në vend i ka kushtuar pak, ose aspak rëndësi reale gjendjes, në të cilën ndodhet sot energjitika. Kjo vërehet qartë në investimet e pakta, apo në (mos)përgatitjen e specialistëve të fushës.

Në vizitën e Berluskonit, dje në Tiranë, u fol për marrëveshje dhe plane konkrete. Kjo është shumë pozitive, mirëpo, si çdo gjë tjetër në vendin tonë, edhe kjo mbeti jotransparente, jo e qartë për publikun se cili do të jetë përfitimi i vendit tonë në këtë mes. Unë nuk besoj ne demagogji të tipit, “Shqipëria, fuqi energjitike e Ballkanit” apo në centrale bërthamorë, e të tjera si këto. Jo se nuk i mirëpres, por më duken të pamundura në një vend si yni, ku sot ka ende familje që nuk gëzojnë ende elektrifikim. Të më ndjeni për këtë, por është realitet, si shumë të tjerë të zymtë. Në fakt, situata është shumë kritike.

Burimet e erës që u përmendën në projektet me Kryeministrin italian, duhen marrë në konsideratë, megjithëse kanë një kosto të lartë. Por, dhënia e kompanive të huaja të këtyre burimeve, na bën dhe më shumë të mendojmë se rrezikohemi t’i humbim dhe këto potenciale, të cilat janë të përqendruara në pak zona. Kjo energji e destinuar për tregun e huaj, na kthen në vasalë energjetikë. Shqiptarët sot humbin shumë nga buxheti i tyre, si rezultat i importit të energjisë.

Është koha që të fillohet të investohet vetë në këtë fushë, edhe pse sot ka një kosto. Por, nesër, ky investim i sotëm do të na sigurojë energji në shtëpitë tona, në shkollat tona, në spitalet tona. Do na sigurojë, po kështu, atë më të rëndësishmen; lirinë dhe pavarësinë tonë ndaj tregjeve dhe stuhive ekonomike të të tjerëve, të cilat, me sa duket kanë filluar tashmë të fryjnë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML