Denoncohet vendimi i qeverisë, për dhënien e 172 mijë dollarëve me prokurim të drejtpërdrejtë kompanisë së këshilltarit të kryeministrit Berisha, Tom Ridge
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e fundit të tij të dorëzuar në Parlament, midis shkeljeve të shumta, ka listuar edhe një vendim të qeverisë që ka konsistuar në prekjen e Fondit Rezervë në disa raste. Një nga rastet e listuara si esenciale në raportin e KLSH-së për vitin 2006, është edhe Vendimi N.r 653, datë 27/09/2006. Sipas këtij vendimi të qeverisë, i lejohet Kryeministrisë që të përdorë procedurën prokurim i drejtpërdrejtë me shoqërinë “RIDGE, GLOBAL LLC” për dhënien e një shërbimi konsulence. Ky shërbim konsulence konsistonte në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, mbështetjen për anëtarësimin në NATO, mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe kriminalitetit. Vlera totale për këtë prokurim ka shkuar në 15 563 000 lekë. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit e vlerëson këtë mënyrë prokurimi si të parregullt. Në raport thuhet se, për emergjencën e këtij vendimi nuk paraqitet asnjë detaj në relacionin shpjegues dhe as për faturën financiare që i ka kushtuar buxhetit të shtetit. Nga ana tjetër raporti bën me dije se nuk ka pasur asnjë parashikim në buxhet për këtë emergjencë, duke hedhur më tej hije dyshimi mbi formën e prokurimit të këtyre parave nga ana e institucionit të Kryeministrit, në drejtim të kompanisë së këshilltarit të tij, Ridge.
Por shkeljet e konstatuara nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit për këtë vendim janë të shumta. Sipas raportit të këtij institucioni, në vendimin e qeverisë për lëvrimin e fondeve me anë të prokurimit të drejtpërdrejtë për kompaninë e këshilltarit amerikan të Kryeministrit, Tom Ridge, përveç mënyrës se si është lëvruar ky fond, ka edhe një element tjetër, që është në shkelje me ligjin. Si shkak për lëvrimin e këtij fondi nga ana e qeverisë është listuar edhe shërbimi i konsulencës për hartimin e strategjisë kombëtare, draft ky i hartuar që në vitin 2003 dhe që është miratuar nga ana e Parlamentit, po në këtë vit. Pra një pjesë e fondit prej 172 mijë dollarësh është justifikuar si shpenzim për hartimin e këtij drafti që ishte miratuar rreth 3 vite më parë, në një kohë që fondi është lëvruar në vitin 2006.