Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:48:13

Lexoni versionin Print

Ulen çmimet e sigurimeve

Çmimet e Policave të Sigurimit të detyrueshëm të automjeteve pësuan ulje të ndjeshme në treg, gjatë javës së fundit, pas lajmit se Ministria e Financave ka në plan të tërheqë çmimet e përcaktuara në këtë treg.

Gjergj Erebara
Merkure, 02 Korrik 2008 08:12:00

 

Ende pa hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, kompanitë kanë filluar të shesin sigurime motorike me çmim 40% më lirë

Nëse më herët duhej të paguaje 13.800 lekë në vit për sigurimin e një “Benzi 200”, tani mund ta blesh për 8.200 lekë

Çmimet e Policave të Sigurimit të detyrueshëm të automjeteve pësuan ulje të ndjeshme në treg, gjatë javës së fundit, pas lajmit se Ministria e Financave ka në plan të tërheqë çmimet e përcaktuara në këtë treg. Policat e Sigurimeve tashmë kanë filluar të shiten me 70% ose 60% të çmimit minimal. Dy vite më parë, një sistem i ri i miratuar nga Ministria e Financave caktonte një çmim fiks, sipas fuqisë motorike të makinës, për sigurimin e detyrueshëm. Edhe në atë kohë, çmimet reale të ofruara në treg qenë rreth 20% më të ulët sesa çmimi minimal i përcaktuar nga financat, por gjatë javës së fundit, lufta e ashpër për treg dhe premtimi i ministrit Bode për heqjen e kontrollit të çmimeve, ka sjellë ulje të mëtejshme.

“Benzi 200”

Makinat tipike në Shqipëri kanë zakonisht motorë me madhësi të dhomës së djegies 1800 deri në 2300 centimetra/kub. Vitin e kaluar, sigurimi për këto makina qe jo më pak se 13.800 lekë. Realisht, në treg, një Policë e tillë sigurimi mund të gjendej edhe për 11 mijë lekë, por gjatë javës së fundit, çmimi ka rënë në 8200 lekë. Ministria e Financave pati publikuar vitin e kaluar një tabelë me çmimet minimale, e cila teorikisht mbetet në fuqi derisa projektligji i ri të kalojë në Parlament.

Konkurrencë e ashpër

Sipas bilanceve të kompanive të sigurimit, të ardhurat e tyre nga sigurimet e makinave për vitin 2007 qenë 2.6 miliardë lekë, ose 21.6 milionë euro, por në realitet, ekspertët shpjegojnë se të ardhurat janë shumë më të ulëta. Kompanitë e sigurimeve ulin çmimet përtej minimumit ligjor dhe i klasifikojnë, në bilanc, këto ulje si “shpenzime administrimi” ose thjeshtë nuk i klasifikojnë fare. Gjatë viteve të fundit, ka patur disa tentativa për të liberalizuar tregun e sigurimit të makinave, por që të gjitha kanë qenë jo të suksesshme. Të ardhurat formale të sigurimeve u rritën me 43% gjatë vitit të kaluar në krahasim me vitin 2006, si pasojë e rritjes së fortë të çmimeve. Konkurrenca e ashpër ka bërë që kompanitë e sigurimeve rezultojnë sot institucione financiare që shpenzojnë 70% të të ardhurave të veta për mbledhjen e këtyre të ardhurave, gjë e paimagjinueshme për një sektor të tillë.

Politika e re, kontroll indirekt mbi çmimet

Një propozim i paraqitur nga ana e Ministrisë së Financave parashikon që çmimi i Policave të Sigurimit të caktohet në bazë të kritereve që janë në fuqi nga vetë kompania e sigurimit. “Shoqëria e sigurimit detyrohet të depozitojë në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, kushtet e sigurimit dhe bazën teknike të përdorur për llogaritjen e tarifave të primit të sigurimit, me qëllim kontrollin nëse ato janë llogaritur në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga Autoriteti, parimet aktuariale dhe praktikat e tregut. Në listën e sigurimeve të detyrueshme, do të hyjnë edhe sigurimi i pasagjerëve në transport publik.

Pasoja e çmimit të ulët, më pak dëme të paguara

Pasoja e parë e çmimeve më të ulëta, gjatë muajve të parë të këtij viti, është shfaqur sakaq. Sipas statistikave të Autoritetit Mbikëqyrës, dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve për pesëmujorin e parë të këtij viti u ulën me 20%. Dëmet e paguara qenë sakaq shumë të pakta në krahasim me të ardhurat, por ulja e mëtejshme vlerësohet se lidhet drejtpërsëdrejti me çmimet. Gjatë periudhës Janar-Maj, numri i makinave në qarkullim është rritur, ndërkohë që të ardhurat e kompanive nuk janë rritur. Pagesat e dëmeve për aksidentet e makinave kanë pësuar uljen më të madhe, në një kohë që nga Ministria e Brendshme nuk raportohet ndonjë rënie e dukshme e aksidenteve rrugore. Edhe më parë, kompanitë e sigurimeve kanë qenë në qendër të kritikave. Shumë prej kompanive organizojnë fushata informuese, për të bindur qytetarët të mos kërkojnë sigurime më të lira sesa çmimi ligjor, gjithkund mund të blesh një të tillë. Mungesa e pagesës së dëmeve i bind qytetarët se sigurimi i detyrueshëm i makinave, është thjeshtë një lloj takse që duhet të paguhet për të shmangur penalitetet.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML