Drejtori i OST, Balla: Remontet do të vazhdojnë deri në dimër, kufizime do të ketë në të gjithë vendin
“Ndërprerjet e energjisë elektrike do të vazhdojnë gjatë gjithë verës dhe shkak për këto ndërprerje janë remontet në një pjesë të mirë të linjave”, - tha Ymer Balla. Deklarata e kreut të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes vjen pak ditë pasi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, garantoi shqiptarët vetëm për një javë kufizime.
Edhe kjo verë do të jetë me kufizime të energjisë elektrike në të gjithë vendin. Shkak për këto kufizime zyrtarisht pranohet që të jenë remontet e energjisë elektrike, por një strategji e tillë tashmë është e pranishme sa herë që në vend nuk ka mundësi që të ketë një plotësim të kërkesës së lartë. Gjatë 2 javëve të fundit, për shkak të temperaturave të larta ka një rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë. Mungesa e sistemeve të ftohjes dhe përdorimi individual i kondicionerëve është një faktor shtesë për konsumin e lartë. Por nga ana e Drejtorit të Operatorit të Shpërndarjes bëhet e ditur se shkak për këto kufizime janë vetëm remontet. “Ndërprerjet e energjisë elektrike do të vazhdojnë gjatë gjithë verës dhe shkak për këto ndërprerje janë remontet në një pjesë të mirë të linjave”,- tha Ymer Balla. Deklarata e kreut të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes vjen pak ditë pasi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, garantoi shqiptarët vetëm për një javë kufizime.
Ndërprerjet orar dhe pa orar të 10 ditëve të fundit kanë shkaktuar shqetësim për qytetarët, të cilët në këto orare janë edhe pa ujë. Sistemi i pompave kushtëzon këtë sjellje, thuajse për të gjithë ata që nuk kanë një depozitë në katet e sipërme. Të pakta janë ato qytete apo banesa që mund të marrin ujë 24 orë dhe me presion për t’u ngjitur edhe në katet e sipërme. Por më shumë se kaq, të gjithë janë të shqetësuar për fatin e mëtejshëm të kufizimeve të energjisë. Gjatë këtyre viteve, fillimet e kufizimeve janë shoqëruar ngaherë me një situatë të tillë. Në javët e para, Korporata nuk bën lajmërime për oraret pa drita dhe me drita, ndërsa pasi durimit i ka ardhur fundit, KESH, del dhe publikon oraret e territ. Kjo është ajo që ka ndodhur, por duke i besuar të dhënave të KESH për kontratat e importit dhe prodhimit vendës, viti 2008 duket se nuk do të jetë një histori tjetër errësire. Por tashmë duhet të jemi të kënaqur edhe me pak kufizime, sipas KESH, pasi drita 24 orë, vështirë se mund të gjenden.
Sipas të dhënave zyrtare nga ana e KESH , gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, oferta e energjisë elektrike është rritur me rreth 12% në bazë vjetore. Sasitë e larta të reshjeve kanë ndikuar në përmirësimin e situatës energjitike në vend. Gjatë kësaj periudhe është vënë re një rritje e prodhimit vendas dhe një rënie e sasisë së energjisë së importuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Konsumi i energjisë elektrike nga familjet dhe bizneset, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ishte rreth 13% më i lartë se ai i të njëjtës periudhë të një viti më parë. Familjet vazhdojnë të konsumojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike ose rreth 41 %, ndërkohë që pesha e konsumit të bizneseve, në tremujorin e parë të këtij viti ishte rreth 24%. Humbjet kanë vijuar të regjistrojnë rënie gjatë kësaj periudhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndonëse rënia është më e vogël sesa ndryshimi vjetor gjatë vitit 2007.