Bursat europiane dorëzojnë fitimet
Ndodhi ditën e djeshme që investitorët në aksionet e kompanive më të rëndësishme europiane, u detyruan të dorëzojnë fitimet për shkak të rënies së çmimeve. Sipas “Financial Times”, një deklaratë e gjigantit Goldman Sachs, solli edhe rënien e çmimeve të aksioneve të gjigantëve bankarë. Goldman Sachs deklaroi se bankat europiane kanë nevojë për 60 deri në 90 miliardë euro kapital të ri, për të shmangur problemet me kreditë e këqija. Pas kësaj vlera e aksioneve të shumicës dërrmuese të bankave u ul, duke bërë që investitorët të humbisnin. Të gjitha bursat europiane pësuan rënie gjatë të premtes. Përjashtim qe USB e Zvicrës, bankë që qe prekur shumë rëndë gjatë javëve të fundit nga kreditë e këqija. Shumica dërrmuese e investitorëve të bursa blejnë aksione me qëllim që t’i shesin kur çmimi i tyre të rritet. Në rast se çmimi ulet, siç ndodhi javën e kaluar, investitorët humbasin.
Rregullat janë bërë për të dështuar
Sipas shkollarëve të ekonomisë, paraja e vendeve me deficit tregtar të lartë, është e destinuar të zhvlerësohet në favor të parasë së vendeve me surplus tregtar. Për pasojë, tregu do të vetërregullohet, pasi zhvlerësimi i monedhës do të rrisë eksportet e vendit dhe do të shtrenjtojë importet. Në teori, kjo gjë duket shumë e saktë. Në praktikë, duket se është një teori e dështuar. Sipas të dhënave pas viteve 2000, monedhat e disa vendeve deficitare janë forcuar, ndërkohë që monedhat e vendeve suficitare janë dobësuar, pra krejt e kundërta me teorinë. Britania, Australia, Zelanda e Re, Islanda etj., janë vende me deficite të larta tregtare. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, monedhat e tyre u rritën në vlerë. Për shembull, jeni japonez është dobësuar me 13% që nga viti 2002 pavarësisht faktit se bilanci tregtar i Japonisë ka një surplus shumë të madh. Nga ana tjetër, dollari neozelandez është forcuar me 28%, pavarësisht se deficiti tregtar është më i lartë sesa i SHBA-ve. Paradoksi është pasojë e një skeme tregtare të përdorur gjerësisht. Gjatë gjithë këtyre viteve, investitorët kanë huazuar para në monedha me interesa të ulëta si jeni japonez dhe i kanë investuar paratë në bonde të monedhave me interesa të larta, si dollari australian. Ekonomitë me deficite të larta tregtare, ofrojnë interesa të larta për investimet në monedhën vendëse, për të kompensuar rrezikun e zhvlerësimit. Për pasojë, monedhat e vendeve deficitare janë forcuar e ato të vendeve suficitare janë dobësuar. Por kjo çudi nuk është e thënë të vijojë përgjithmonë. Tani që bota gjendet në krizë financiare, tendenca ka ndryshuar. Monedhat e vendeve të forta si Japonia dhe Zvicra po forcohen gjatë vitit 2008 e ato të vendeve deficitare po dobësohen.
Azia në ethe, humbjet janë rast i mirë për fitime
Dita e fundit e javës qe disi e qetë në bursat e Japonisë dhe Kinës, kur shumë investitorë menduan të fillojnë blerjet, tani që vlera e aksioneve ka mbërritur në një nivel me të vërtetë shumë të ulët. Megjithatë, investitorët u shfaqën shumë të kujdesshëm. Bursa e Tokios mbylli ditën e 12 radhazi me humbje, gjë që nuk ka ndodhur në fakt që nga viti 1954. Vetëm në atë vit të largët, Nikkei pati regjistruar 15 ditë radhazi rënie. Shumë investitorë mendojnë se tani ka ardhur çasti i kthimit të tendencës. Në Australi, bursat pësuan një rritje të lehtë pasi kishin shënuar ditën më të keqe në dy vjet, të enjten. Disa nga kompanitë më të rëndësishme të vendit, humbën deri në 18% të vlerës së aksioneve. Aksionet pësuan rënie dhe në Bursën e Shangait.