Plani fillestar i Korporatës parashikonte fitime në nivelin 1 miliardë lekë, përmes rritjes së çmimeve
Sipas programit të miratuar nga qeveria, KESH do të realizojë 4 miliardë lekë humbje në 2008-07-06
“Tepër optimist” dhe “tepër ambicioz”. Këto janë dy togfjalëshat karakterizues të planit të KESH për vitin 2008. Korporata beson se mund të ulë ndjeshëm humbjet e energjisë në rrjet si dhe mund të ulë me dy të tretat humbjet financiare. KESH planifikon të rrisë të ardhurat me 9 miliardë lekë si pasojë e rritjes së çmimit dhe uljes së vjedhjeve. Vetë KESH i konsideron objektivat si “ambicioze”. Parashikohet që kufizimet të jenë zero për vitin 2009 e në vijim, objektiv ky gjithashtu i konsideruar si jorealist.
Humbjet financiare
KESH përjetoi vitin më të keq në histori më 2007, kur pati shpenzime prej 39 miliardë lekësh dhe të ardhura prej 27 miliardë lekësh. Për të mbuluar shpenzimet, korporata iu drejtua bankave ku tërhoqi kredi të shtrenjta, ndërsa buxheti i shtetit mbuloi një sasi të konsiderueshme të shpenzimeve. Vetëm interesat për kreditë e marra vitin e kaluar, do t’i kushtojnë korporatës 1.2 miliardë lekë këtë vit. Ministria e Financave, ankohet se KESH ka detyrime të konsiderueshme fiskale ndaj tatim-taksave, të cilat nuk është në gjendje t’i shlyejë.
Për këtë vit, falë rritjes së çmimit të energjisë me 11%, pritet të humbjet të jenë më të vogla. Megjithatë, parashikimi i qeverisë nuk përputhet fare me parashikimin e FMN-së. Objektivi i planit është që humbjet këtë vit të arrijnë në 4 miliardë lekë, por FMN paralajmëroi disa muaj më parë se pa rritje të mëtejshme çmimi, KESH do të shkaktojë “humbje fiskale” prej 135 milionë eurosh, shifër kjo e papërballueshme.
Paratë e taksapaguesve
Qeveria shqiptare përdori 8 miliardë lekë nga paratë e taksapaguesve gjatë vitit të kaluar për të financuar importet e KESH përmes shlyerjes së faturave të energjisë të institucioneve publike si dhe përmes kredive të drejtpërdrejta. Përveç këtyre, KESH mori kredi nga bankat private prej 7.9 miliardë lekësh. KESH ka edhe borxhe për të marrë. Në fund të vitit 2007, borxhet e akumuluara nga mosshlyerja e faturave nga konsumatorët familjarë arritën në 44 miliardë lekë. Nga eksperienca e viteve të shkuara, është e qartë se shanset për të mbledhur këto borxhe janë minimale. Vetëm gjatë vitit të kaluar, borxhet u shtuan me 3 miliardë lekë.
Kostoja e importit në kulm
Problemi kryesor i financave të KESH është lumi i parave që shkon për importin e energjisë elektrike. Gjatë vitit të kaluar, 200 milionë euro u larguan nga Shqipëria për këtë shkak, gjë që solli dobësim të lekut kundrejt euros dhe thellim të deficiteve tregtare të vendit. Kostoja e importit u rrit me 47% gjatë vitit të kaluar dhe pësoi edhe një rritje të mëtejshme prej 16.5% këtë vit, duke arritur kulmin në 10.22 lekë për KWH. Çmimi i dritave në rajonin e Ballkanit varet shumë nga kapaciteti i linjave të transmetimit dhe transparenca e vendeve të ndryshme në lejimin e përdorimit të këtyre linjave. I gjithë rajoni është deficitar dhe një pjesë e konsiderueshme e energjisë duhet të importohet nga Europa Qendrore si dhe Gjermania. Vende të ndryshme të Ballkanit si Bullgaria, kanë vendosur ndërkohë sistem kufizimesh tregtare në eksportin e energjisë elektrike për shkak se kanë çmim më të ulët në tregun e brendshëm dhe synojnë të plotësojnë tërësisht konsumin e vet para se të eksportojnë sasinë e mbetur.