Hene, 08 Shtator 2008 12:48:42

Lexoni versionin Print

Sigurimet humbasin gjyqin me Konkurrencën

Tetë kompani sigurimi mund të detyrohen së shpejti të paguajnë rreth 800 mijë euro gjobë për shkelje të rregullave të konkurrencës, pasi humbën gjyqin në Gjykatën e Tiranës kundër Autoritetit të Konkurrencës.

Gjergj Erebara
Merkure, 09 Korrik 2008 08:09:00


Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e kompanive të sigurimit, duke lënë në fuqi gjobën për krijim oligopoli

Gjoba duhet të mblidhet nga Policia Tatimore, e cila deri më sot nuk ka marrë asnjë masë

Tetë kompani sigurimi mund të detyrohen së shpejti të paguajnë rreth 800 mijë euro gjobë për shkelje të rregullave të konkurrencës, pasi humbën gjyqin në Gjykatën e Tiranës kundër Autoritetit të Konkurrencës. AK, njoftoi pak ditë më parë se e ka fituar gjyqin dhe se tani i takon Policisë Tatimore të përmbyllë procedurat administrative për vjeljen e gjobës. Kompanitë kishin kërkuar në Gjykatën e Tiranës prishjen e vendimit administrativ të gjobës. Gjykata e hodhi poshtë kërkesën e kompanive të sigurimeve dhe la në fuqi vendimin e Autoritetit.

Historia e oligopolit

Tetë kompani sigurimesh u organizuan në një shoqatë që synonte shitjen e përqendruar të Policës së Sigurimit Ndërkombëtar, “Kartoni Jeshil”, një produkt që blihet me detyrim nga poseduesit e makinave shqiptare kur udhëtojnë jashtë vendit. “Kartoni Jeshil” krijonte rreth 4 milionë euro të ardhura. Me mbështetjen e Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve, kompanitë përcaktuan një agjent të vetëm për shitjen e “Kartonit Jeshil” nëpër pikat kufitare dhe përcaktuan ndarjen e të ardhurave sipas kuotës së tregut që posedon secila kompani. Për pasojë, çmimi i “Kartonit Jeshil” u rrit ndjeshëm dhe bashkë me të edhe të ardhurat e kompanive. Para krijimit të poolit, Kartoni Jeshil kishte një çmim maksimal ligjor, por jo një çmim minimal, gjë që i jepte të drejtë kompanive të konkurronin. Gjatë vitit 2006, Autoriteti i Konkurrencës mori në shqyrtim çështjen dhe urdhëroi Ministrinë e Financave të shfuqizonte vendimin për ndarjen e të ardhurave. Për shkak se krijimi i oligopolit qe krijuar me mbështetjen formale të Ministrisë, Autoriteti nuk gjeti bazë ligjore për të gjobitur shkeljen. Më pas, kur urdhri për shpërbërjen e oligopolit nuk u zbatua, AK hapi një hetim të thelluar. Në mars të vitit 2007, Autoriteti i Konkurrencës vendosi të gjobisë kompanitë e sigurimeve me 2% të xhiros vjetore të vitit 2005. Sipas të dhënave të Autoritetit Mbikëqyrës të Sigurimeve, (sot AMF), 2% e xhiros së vitit 2005 përkon me afërsisht 800 mijë euro, gjobë që duhet të paguhet nga tetë kompani të sigurimeve të Jetës.

Por gjobat e tjera nuk janë mbledhur

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur deri tani shumë kompani në fushën e telekomunikacioneve, ndërtimit e sigurimeve, por deri tani nuk ka të dhëna nëse këto kompani e kanë paguar gjobën apo jo. Ligjërisht, Policia Tatimore duhet të zbatojë vendimin e AK dhe të vjelë gjobën, por deri më sot, Ministria e Financave ka refuzuar shumë herë të kryejë procedurat dhe të vjelë gjobat. Për pasojë, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës rrezikojnë të mbesin në letër.

AK, ka hapur hetime në tregun e sigurimeve edhe për sistemin e shitjes së përqendruar të Policave të Sigurimit të Makinave, vendim që gjendet aktualisht në proces gjyqësor.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML