Procedurat e shitjes së pronës shtetërore kalojnë në Drejtorinë e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave
Me anë të një Akti Normativ, qeveria ka miratuar gjatë ditës së djeshme, kritere të reja për shitjen dhe dhënien me qera të pronave shtetërore. Qëllimi i këtij akti normativ është përcaktimi i organeve dhe i kompetencave që ato kanë për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve shtetërore apo objekteve të veçanta të tyre. Me këtë privatizim kryhet procesi i transferimit të së drejtës së pronësisë shtetërore te personi, juridik ose fizik, privat. Sipas këtij akti normativ, kalimi i pronës shtetërore në pronë private bëhet nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit si: shitjes me ankand, tenderit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kriteret për vlerësimin e pronës shtetërore, që privatizohet, si dhe procedurat e format e privatizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Transferimi i pronësisë
Kalimi i pronës shtetërore në pronë private drejtohet nga ministria përgjegjëse për Ekonominë, e cila përcakton kohën dhe formën e realizimit të privatizimit për të gjitha pasuritë shtetërore, që i nënshtrohen këtij procesi. Miratimi i privatizimit për pasuritë e luajtshme kryhet nga organi që i administron ato. Organi që kryen procedurat e shitjes së pronës shtetërore që privatizohet, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj, është Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave. Prona shtetërore jepet me qira, enfiteoze apo me kontrata të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi nga ministria përgjegjëse për Ekonominë, ministritë, institucionet e tjera në varësi të Këshillit të Ministrave, organet përkatëse të qeverisjes vendore që përgjigjen për administrimin e pronës shtetërore, si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore. Kriteret, procedurat dhe mënyrat e dhënies me qira, enfiteozë apo me kontrata të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, të pronës shtetërore, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë të gjitha procedurat e privatizimit të filluara deri tani, do të vazhdojnë sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi para hyrjes në fuqi të këtij Akti Normativ.