Çmimet e naftës u ulën me më shumë se 5 dollarë për fuçi dje në tregun ndërkombëtar, duke rimarrë rrugën drejt rënies pas një korrigjimi afatshkurtër të hënën në mbrëmje. Senati amerikan po konsideron masa për të ndaluar spekulimet me tepri në tregjet e naftës pasi dokumenti i mbështetur nga demokratët mori miratimin procedural të hënën për një debat. Ndërkohë, T. Boone Pickens, një investitor multimiliarder nafte, paralajmëroi se çmimet e naftës do të rriten deri në 300 dollarë për fuçi në dhjetë vjet në rast se SHBA-të nuk arrijnë të ulin varësinë e vet nga nafta e importit.
Nafta e Teksasit ra me 5.04 dollarë në 126 dollarë për fuçi dje, pasi shënoi kuotën më të ulët në 125.63 dollarë. Këto çmime janë të vlefshme për kontratat e dorëzimeve në gusht. Në Londër, nafta ra në 128 dollarë për kontratat e dorëzimit në shtator. Rënia e çmimeve pritet të pasqyrohet edhe në Shqipëri, por së paku me një muaj vonesë. Sytë e botës janë drejtuar nga Kina. Arsyeja e rënies aktuale të çmimeve qe pikërisht lajmi se kërkesa kineze për naftë më në fund po ndalet.