Berisha vendos ngjyrën blu për pasaportat e reja biometrike që do të prodhohen gjatë vitit të ardhshëm
Qeveria ka miratuar dje kontratën me kompaninë “Sagem Securite” për prodhimin e kartave dhe të pasaportave biometrike. Ndërsa Berisha i bëri thirrje opozitës të largohet nga interesat klienteliste e të mbështesë projektin, njoftoi se vendimi do të shkojë me urgjencë për votim në Kuvend. Kompania “Sagem Securite” operon në 62 vende të botës dhe prodhon këto dokumente për pjesën më të madhe të vendeve të BE-së.
Sipas Kryeministrit, kjo kompani e përzgjedhur si fituese solli ofertën më të mirë, e cila plotëson të gjitha kushtet teknike të përcaktuara nga ekspertët shqiptarë dhe konsulenti ndërkombëtar. Përfundimi i kësaj kontrate do të ketë konsulencën e një kompanie britanike. Procesi i tenderimit të kartave dhe pasaportave biometrike u kontestua ashpër nga kompanitë që morën pjesë në këtë garë. Berisha ka përcaktuar gjatë ditës së djeshme edhe ngjyrën e pasaportës shqiptare, e cila do të jetë blu.