Drejtori i KESH siguron konsumatorët për furnizimin me energji, ndërsa e vlerëson privatizimin të vështirë
Drejtoi i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi ka bërë të ditur se energjia nuk do të mungojë gjatë vitit 2008, pavarësisht reshjeve që mund të jenë edhe nën mesataren. Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, siguron qytetarët për furnizim pa ndërprerje me energji elektrike, përgjatë gjithë vitit. Kreu i KESH, thotë se rezervat hidrike janë të mjaftueshme dhe se çdo ndërprerje energjie që mund të ndodhë, nuk vjen për shkak të mungesës së saj. Drejtori i KESH, flet edhe për një pikë tjetër mjaft delikate, atë që ka të bëjë me privatizimin e Shpërndarjes. Bojaxhi e konsideron shitjen e Operatorit të Shpërndarjes, si një proces mjaft të vështirë, por paralajmëron se sfidat më të mëdha nuk përfundojnë me privatizimin, por pritet të vijnë pas tij.
Privatizimi i KESH, ka futur në “halle” qeverinë, për vetë historinë që të tilla procese kanë patur në vende të tjera. Për këtë arsye, çmimi i ofruar nga ana e kompanive private për të blerë Operatorin Shqiptar të Shpërndarjes do të jetë një element dytësor në këtë privatizim. Për ministrin e Ekonomisë dhe Energjitikës, më i rëndësishëm në këtë proces është plani i biznesit i kompanisë, në të cilin përcaktohen edhe objektivat për arkëtimet dhe humbjet e energjisë. Dega e Shpërndarjes në KESH, e cila mbetet edhe pjesa më e rëndësishme e kësaj kompanie, do të ketë një pronar të ri, brenda vitit 2008. Administrimi i Shpërndarjes nga kompania e re, nëse qeveria do të japë “Ok” për ofertën, do të jetë në fillim të vitit 2009.
Ndërsa ofertat e 4 kompanive që janë në garë pritet që të bëhen publike në 1 Shtator të këtij viti. KESH, ka aktualisht një nivel humbjesh që shkon në 35 për qind. Ndarja e tyre midis vjedhjeve dhe humbjeve teknike, sipas specialistëve të KESH është thuajse e barabartë, pavarësisht se për këtë analizë nuk ka të dhëna tërësisht të besueshme. KESH, prej vitesh është në një krizë financiare për shkak të arkëtimeve të ulëta dhe njëkohësisht edhe të çmimeve të larta të energjisë. Por sfida e këtij privatizimi mbeten humbjet e mëdha në rrjet dhe vjedhjet. Tashmë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është e ndarë. KESH mbetet përgjegjëse vetëm për të menaxhuar prodhimin vendas dhe sigurimin e një pjesë të importit, ndërsa furnizimi me energji i konsumatorëve është përgjegjësi e Operatorit të Shpërndarjes.