Çmimet e naftës në bursë bien nën 125 dollarë për fuçi
Një kompani holandeze akuzohet se fitoi 1 milionë dollarë duke zbatuar “teknika të pandershme tregtare” te bursa e naftës. Lajmi u publikua dje nga “Financial Times”. Kompania “CFTC”, me bazë në Holandë, është një fond investimi me shtrirje ndërkombëtare. Agjencia e Mbikëqyrjes së Tregjeve të Mallrave në SHBA, deklaroi se ka prova se kjo kompani ka manipuluar tregjet e naftës bruto, gazoilit dhe naftës për ngrohje në Nju Jork, në disa ditë, gjatë marsit të vitit 2007.
Kompania kishte përdorur një teknikë ilegale, që quhet “goditja e mbylljes”. Politika në SHBA po këmbëngul për hetimin e investitorëve në tregjet e mallrave bazë, për të parë nëse rritja stratosferike e çmimeve gjatë vitit të fundit, ka qenë pasojë e kërkesë-ofertës apo ka qenë edhe pasojë e spekulimeve. Punonjësit e kompanisë së akuzuar kanë shkëmbyer e-maile me njëri-tjetrin, ku thonë se mund të “rrisin çmimin e naftës”. E-mailet kanë rënë në dorë të autoritetit. Por megjithëse spekulantët akuzohen se kanë rritur çmimet, rasti në fjalë, thotë se investitori nën akuzë në tre raste e manipuloi çmimin në rënie, ndërsa në dy raste të tjera, në rritje.
Bien çmimet e mallrave
Gjatë ditëve të fundit, çmimet e naftës dhe mallrave të tjerë të rëndësishëm vijuan rrugën drejt rënies së përgjithshme. Dje, çmimet e gazit në SHBA ranë me 9% brenda ditës, gjë që mori me vete edhe çmimin e naftës bruto, i cili shënoi pikën më të ulët në 123.5 dollarë për fuçi. Në tregun e produkteve të gatshme, Diezeli i standardit gjerman, ra me më shumë se 40 dollarë për tonë në 1160 dollarë. Benzina qe 1040 dollarë për tonë. Në tregun shqiptar duket se ka ndalur gjithashtu tendenca në rritje e çmimeve të naftës. Çmimi aktual i naftës prej 125 dollarësh për fuçi në tregun ndërkombëtar, korrespondon me çmimin prej rreth 160 lekësh për litër në tregun shqiptar.