Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:29:55

Lexoni versionin Print

Teknologjia, bllofi i termocentralit të Vlorës

Fakti që Shqipëria nuk ka lidhje me tregun ndërkombëtar të gazit si dhe vonesat në ndërtimin e termocentralit të Semanit, pritet ta kthejnë termocentralin e Vlorës në një investim të gabuar, - bëjnë të ditur ekspertë të sektorit të energjisë elektrike.

Gjergj Erebara
Marte, 26 Gusht 2008 10:47:00

Vepra energjetike që duhej të shpëtonte Shqipërinë nga kriza, rezulton se do të japë energji më të shtrenjtë se importi

Fakti që Shqipëria nuk ka lidhje me tregun ndërkombëtar të gazit si dhe vonesat në ndërtimin e termocentralit të Semanit, pritet ta kthejnë termocentralin e Vlorës në një investim të gabuar, - bëjnë të ditur ekspertë të sektorit të energjisë elektrike.

“Për shkak se termocentrali i Vlorës është projektuar me cikël të kombinuar nafte dhe gazi, si dhe për shkak se Shqipëria nuk ka gaz, kostoja e energjisë elektrike që do të prodhojë ky termocentral do të jetë shumë më e lartë sesa energjia e importuar”, - deklaroi jo zyrtarisht një ekspert i pyetur nga “Shekulli”. Sipas llogarive të kryera nga KESH, me çmim nafte prej 110 dollarësh për fuçi në tregun ndërkombëtar, kostoja e energjisë së prodhuar në TEC-in e Vlorës do të jetë 130 euro për megavat/orë, shumë më e shtrenjtë nga energjia që Shqipëria importon aktualisht. Edhe kryeministri Sali Berisha pati pranuar disa kohë më parë se “energjia e prodhuar në Vlorë do të ketë çmim shumë të lartë për shkak të rritjes së çmimit të naftës”, pa dhënë detaje.

Por ekspertët thonë se çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar është vetëm një prej faktorëve që e bëjnë energjinë e Vlorës të shtrenjtë. Faktori tjetër është mungesa e terminalit të gazit likuid në Shqipëri, gjë që rrit kostot. Megjithatë, ekspertët thonë se analizimi i kostos së termocentralit të Vlorës jashtë sistemit energjetik shqiptar, është e gabuar. “KESH do të ketë përfitime plus nga termocentrali i Vlorës për shkak se tensioni në linjat e bregut të jugut do të rritet, duke sjellë edhe shitje më të larta, ndërsa hyrja në punë e këtij gjeneratori në jug do të ulë humbjet në transmetimin e energjisë nga veriu i vendit ku prodhohet shumica në qendër dhe jug të vendit, ku është përqendruar pjesa më e madhe e konsumit”.

Qeveria ka negociuar me konsorciumin e projektit të termocentralit të Semanit dhe impiantit të degazifikimit atje për të blerë një sasi gazi për ta përdorur në termocentralin e Vlorës, por projekti i Semanit është ende në fazë studimore.

Teorikisht, termocentrali i Vlorës duhet të mbulojë 30% të deficitit energjetik të Shqipërisë. Ai do të hyjë në punë vitin e ardhshëm dhe do të kushtojë në total 93 milionë euro. Ajo është vepra e parë gjeneruese që ndërtohet në Shqipëri që nga viti 1985. Ndërtimi i tij kaloi përmes procedurave të tejzgjatura që nga viti 2001 kur filluan bisedimet me donatorët deri në vitin 2007, kur filloi realisht puna. Projekti fillestar qe që në Vlorë të ndërtoheshin katër termocentrale me fuqi të instaluar prej400 deri në 600 MW. Blloku i parë duhej të hynte në punë në vitin 2003, ndërsa blloku i fundit në vitin 2007.

Paaftësia për të menaxhuar një projekt të tillë bëri që vetëm në vitin 2009, të hyjë në punë blloku i parë. Me anë të ndërtimit të disa termocentraleve, Shqipëria mund të menaxhojë me efikasitet deri 60% më të lartë hidrocentralet e kaskadës së Drinit, duke i dhënë mundësi qytetarëve të përdorin energji më të lirë sesa fqinjët. Paaftësia në rangun politik ka bërë që sot Shqipëria të ketë kosto të energjisë elektrike më të lartë sesa në vendet Europiane, kosto që qytetarët e paguajnë pjesërisht si konsumatorë dhe pjesërisht si taksapagues.

Shqipëria ka nevojë për minimalisht 2 miliardë kilovat/orë energji të importuar çdo vit dhe po paguan për importin shumë më shtrenjtë sesa çmimi i energjisë në Rumani apo në Europën Qendrore, kryesisht për shkak të mungesës së transparencës në menaxhimin e linjave të transmetimit të energjisë elektrike në rajonin e Ballkanit. Pas ndërtimit të termocentralit të Vlorës pritet që Shqipëria të jetë në pozicion më të fortë negociues me tregtarët e energjisë në rajon. Për këtë vit, qeveria ka krijuar një fond rezervë për të paguar faturat e importit të energjisë, në rast se KESH nuk do të jetë në gjendje të mbulojë detyrimet.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML