Dhënia e informacionit të plotë dhe të detajuar për klientët, mbetet një nga pikët e dobëta të bankave të nivelit të dytë
Një sërë rregullash dhe kufizimesh shtesë janë vendosur nga ana e Bankës së Shqipërisë gjatë këtij viti për bankat e nivelit të dytë. Objektivi i këtyre masave ligjore mbetet ruajtja e sistemit bankar nga risqet në rritje dhe njëkohësisht mbrojtja e klientëve nga spekulimet me produktet bankare.
Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se në datën 29 të këtij muaji do të zhvillojë një mbledhje ku do të ketë një analizë të zhvillimeve ekonomike dhe monetare në vend. Gjithashtu në këtë mbledhje të BSH-së pritet që një rëndësi e veçantë t’i jepet rregullores për transparencën e produkteve dhe shërbimeve bankare. Me anë të kësaj rregulloreje kërkohet që t’i bëhet e ditur BSH-së dhe klientëve informacioni mbi këto produkte dhe njëkohësisht NSH kërkon që bankat të japin një informacion më të zgjeruar për klientët.
Dhënia e informacionit të plotë dhe të detajuar për klientët, mbetet një nga pikët e dobëta të bankave të nivelit të dytë. Në këtë mbledhje pritet që të vendosen edhe disa rregulla të reja për mjaftueshmërinë e kapitalit për bankat e nivelit të dytë dhe njëkohësisht BSH ka bërë disa ndryshime në rregulloret e administrimit të rrezikuttë kredisë. Gjatë kësaj mbledhjeje pritet që të merren vendime të rëndësishme për politikën monetare dhe fiskale në vend.
Produktet bankare
Transparenca me klientët mbetet një nga pikat më të dobëta të bankave të nivelit të dytë. Duke mos patur një traditë bankare shpeshherë klientët mbeten të painformuar për shumë çështje të rëndësishme. Edhe normat e interesit ndonjëherë për klientë të ndryshëm nuk janë të qarta. Në vendet e tjera ka një sistem të fortë rregullash për transparencën dhe mbrojtjen e të drejtave të klientëve nga ana e bankave. Fenomeni i transparencës është një problem i ri që ka dalë vetëm së fundmi në pah në Shqipëri. Ka me dhjetëra kompani që tashmë janë në procese gjyqësore më bankat e nivelit të dytë edhe për këtë aspekt të rëndësishëm.
Rregullorja e riskut
Pas një rritjeje të ndjeshme të nivelit të kreditimit dhe njëkohësisht edhe të kredive të këqija në sistemim, Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re për administrimin e riskut që vjen kryesisht nga kreditë në vlera të mëdha të marra nga një individë apo nga grupe të vogla individësh. Rregullorja "Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave", hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" merr në konsideratë Standardet e Komitetit të Bazelit për ekspozimin ndaj rrezikut të përqendrimit, Direktivën Evropiane, elementë të administrimit dhe vlerësimit të rrezikut sipas Akordit të Ri për Kapitalin, si dhe eksperiencat e vendeve të tjera lidhur me rregullimin e administrimit të rrezikut që rrjedh nga ekspozimet e mëdha të bankave.
Rregullorja paraqet kriteret e autoritetit mbikëqyrës për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj një personi/klienti ose grup personash/klientësh të lidhur ose në një marrëdhënie të veçantë me bankën, me qëllim administrimin e rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre. Në rregullore parashihen ndryshime në normat mbikëqyrëse për ekspozimet e mëdha në përputhje me përcaktimet e ligjit "Për bankat", vendosen disa kufizime për kredidhënien e bankës ndaj personave me një marrëdhënie të veçantë me të, bëhen përcaktime të kolateralit, që do të njihet si element zbritës në llogaritjen e këtij ekspozimi, si dhe përjashtohen apo përfshihen në shuma të reduktuara, disa marrëdhënie në aktiv dhe angazhime jashtë bilancit të bankës me persona/klientë ose grup personash/klientësh të lidhur, për qëllime të llogaritjes së ekspozimit të madh. Në rregullore përcaktohen gjithashtu kërkesa mbikëqyrëse e raportuese lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të ekspozimeve të mëdha. Rregullorja e re vjen në një kohë që kemi një rritje të madhe të kredisë së keqe në sistem.