Merkure, 03 Dhjetor 2008 10:01:50

Lexoni versionin Print

SHBA, pranë marrëveshjes për planin e shpëtimit

Sektori financiar i SHBA-ve mund të detyrohet të rimbursojë qeverinë amerikane për të gjitha humbjet në planin prej 700 miliardë dollarësh. Kjo është marrëveshja e arritur për planin e shpëtimit të propozuar nga Shtëpia e Bardhë dhe që mund të miratohet që sot në Kongres.

Hene, 29 Shtator 2008 10:02:00

Bisedimet maratonë të fundjavës sollën palët në pikën e mirëkuptimit. Fondet do t’u jepen bankave hua

Sektori financiar i SHBA-ve mund të detyrohet të rimbursojë qeverinë amerikane për të gjitha humbjet në planin prej 700 miliardë dollarësh. Kjo është marrëveshja e arritur për planin e shpëtimit të propozuar nga Shtëpia e Bardhë dhe që mund të miratohet që sot në Kongres. Pas një fundjave bisedimesh intensive, sekretari i Thesarit Hank Paulson dhe kryetarja demokrate e Kongresit, Nancy Pelosi, njoftuan dje se kanë arritur një projekt marrëveshjeje që do të autorizojë qeverinë të blejë 700 miliardë dollarë asete të rrezikuara nga institucionet financiare.

Marrëveshja u realizua pasi investitori miliarder Warren Buffett paralajmëroi personalisht disa ligjvënës të rëndësishëm se “kriza aktuale mund të kthehet në falimentin më të madh financiar në historinë e Amerikës”. Si demokratët, ashtu edhe republikanët, tentuan gjatë negociatave të fitonin kapital politik duke u shfaqur si mbrojtës të taksapaguesve dhe qytetarëve të thjeshtë amerikanë, duke përfituar nga protestat e njerëzve që mendojnë se është krejtësisht e pandershme që me paratë e tyre të blihen asete të pavlera ose që rrezikojnë të bëhen të pavlera shumë shpejt.

Dy kandidatët për presidentë dhanë mbështetjen e tyre cilësore për pikat më të rëndësishme të marrëveshjes. Barack Obama tha se është i prirur ta mbështesë planin, ndërsa John McCain, rivali i tij demokrat, tha se “të mosvepruarit nuk është një alternativë”. Detajet e marrëveshjes nuk kanë mbaruar ende së përpunuari, por dihet se Kongresi do të votojë një marrëveshje herët këtë javë. Marrëveshja erdhi vetëm dhjetë ditë pasi z.Paulson dhe Ben Bernanke, kryetar i Rezervës Fedeale, i kërkuan Kongresit të autorizonte ndërhyrjen në mënyrë që të shpëtonin sistemin financiar nga kolapsi i plotë.

Përgjatë javës së shkuar, ligjvënësit nga të dyja palët patën folur me skepticizëm mbi projektin, duke dyshuar nëse ai do të funksionojë. Tregjet botërore mbajtën frymën ndërsa bisedimet vijonin. Të shtunën në mbrëmje, negociatorët qenë në gjendje të rihapnin diskutimet pasi gjetën një mënyrë për të marrë parasysh shqetësimet e kongresmenëve.

Nëse pas pesë vitesh, qeveria do të regjistrojë humbje nga asetet që do të blihen tani përmes këtij programi, presidenti Amerikan duhet të prezantojë një plan për të rikuperuar paratë nga industria e shërbimeve financiare. Plani do të parashikojë disa kufizime në kompensimin e ekzekutivëve të kompanive që do të shesin asetet e këqija. Të 700 miliardë dollarët do të lëvrohen në tre faza duke filluar nga kësti i parë që do të jetë 250 miliardë. Kongresi rezervon të drejtën të bllokojë këstin e fundit prej 350 miliardësh.

“Ne kemi punuar shumë dhe kemi ecur përpara drejt rrugës së arritjes së një marrëveshjeje që do të bëhet efektive shpejt,” deklaroi z. Paulson. Demokratët lavdëruan znj. Pelosi për kushtet që arriti t’ia imponojë administratës. Republikanët argumentuan se McCain ka përmirësuar marrëveshjen duke e ngadalësuar atë. Demokratët deshën të fitonin autorësinë mbi marrëveshjen që në fakt u negociua mes administratës ekzekutive dhe ligjvënësve të të dy krahëve.

“Nëse marrëveshja miratohet, për herë të parë në historinë e Amerikës, do të ketë kufizime mbi sasinë e parave që do të mund të fitojnë drejtuesit ekzekutivë të korporatave”, deklaroi një kongresmen. Ndërsa republikanët kujtuan faktin se taksapaguesit do të jenë gjithashtu përfitues nga plani, për shkak se asetet që po blihen tani kanë një çmim shumë herë më të ulët sesa vlera e tyre tregtare.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML