Frika pas skandalit të qumështit me melaminë ka mbërritur deri në vendin tonë. Bllokimi do bëhet që në kufi
TIRANË- Frika e skandalit të qumështit të infektuar në Kinë ka ardhur deri në Shqipëri. Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar dje bllokimin e përkohshëm të importimit dhe tregtimit të qumështit dhe produkteve me bazë qumështi nga Kina. Urdhri i ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, është nxjerrë mëngjesin e djeshëm dhe pason shqetësimin e konsumatorit shqiptar pas skandalit të qumështit të kontaminuar në Kinë ku mijëra fëmijë janë helmuar, mes të cilëve ka edhe viktima.
Dyshime se produkte të tilla mund të ketë edhe në tregun shqiptar detyron Ministrinë e Bujqësisë të urdhërojë bllokimin e të gjithë artikujve kinezë me bazë qumështi. Këtyre produkteve do t’u bëhet analiza mbi përmbajtjen e melaminës në një laborator të një vendi të Bashkimit Evropian. Nëse përmbajtja e melaminës del e lartë, atëherë produkti do asgjësohet menjëherë. Urdhri parashikon bllokimin e qumështit deri në marrjen e përgjigjeve të analizave dhe ne rast se produkti del i kontaminuar, atëherë duhet të kryhet menjëherë asgjësimi i produktit.
Në urdhrin e nxjerrë dje, ministri Gjana thekson se “Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Pikat e Inspektimit Kufitar, Inspektorati Veterinar i Bashkive pranë doganave, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe operatoret e biznesit ushqimor”. Ndërkohë urdhri i ministrit Gjana vjen menjëherë pas embargos që Komisioni Evropian u bëri produkteve me bazë qumështi nga Kina për të gjitha vendete BE.