Pas shumë përpjekjesh, dje pasdite është miratuar paketa “Bush” për nxjerrjen e Amerikës nga kriza ekonomike
Dhoma e Përfaqësuesve të senatit amerikan miratoi ditën e djeshme planin prej 700 miliardë dollarësh, që synon të shpëtojë sektorin financiar në SHBA. Projektligji u miratua me 263 vota pro dhe 171 kundër. Edhe pse një javë më parë ai ishte rrëzuar me një diferencë shumë të vogël votash, lobingu i bërë gjatë këtyre ditëve si dhe dalja e përbashkët e demoratëve dhe republikanëve ka kthyer mendjen e përfaqësuesve të Dhomës.
Ky projektligj u miratua nga Senati të mërkurën mbrëma dhe tani do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti Bush pritet ta nënshkruajë në ligj. Kjo parashikohet të jetë thjesht një formalitet. Tashmë plani 700 miliardë dollarësh i hap “dritën jeshile” administratës së presidentit Bush të blejë të gjitha kreditë e këqija dhe të shpëtojë bankat amerikane nga falimentimi.
Projektligji e lejon qeverinë amerikane të blejë investimet e dështuara nga kompani financiare të trazuara në përpjekje për të rikthyer besimin tek investitorët dhe huadhënësit si dhe për të rifilluar huadhënien dhe zhvillimin ekonomik. Para votimit, udhëheqësi i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer, u bëri thirrje kolegëve të tij që të votojnë për planin. Ai tha se problemet e investitorëve në Uoll Strit po ndikojnë tek vendet e punës, pensionet dhe shtëpitë e miliona amerikanëve të thjeshtë.
Edhe udhëheqësi i pakicës republikane, Xhon Benër, e mbështeti projektligjin, duke u thënë kolegëve të tij se dështimi për të vepruar mund ta çojë ekonominë në atë pikë që shumë pak prej nesh kemi parë, siç u shpreh kongresmeni. Plani përfshin një numër amendamentesh, përfshirë shkurtime taksash për miliona familje amerikane të shtresës së mesme si dhe për disa kompani të energjisë alternative.
Rrëzimi i planit gjatë votimit të parë në Dhomën e Përfaqësuesve të Senatit bëri që 29 shtatori të cilësohej si “e hëna e zezë”. Asnjë herë bursat amerikane nuk kishin pësuar një rënie të tillë. Grafiku tregonte një ulje të frikshme vertikale, edhe më e shpejtë se sa ajo e pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Menjëherë pas saj përfaqësuesit e të dyja partive dolën hapur duke mbështetur planin e presidentit Bush. Edhe dy kandidatët për postin e presidentit, Barak Obama dhe John McCain, dolën hapur në mbrojtje të planit të madh që do të shpëtojë Amerikën por edhe të gjithë botën nga kriza. Dhe reflektimi ishte i menjëhershëm ku Senati amerikan miratoi një version të rishikuar të paketës shumëmiliardëshe të qeverisë për të shpëtuar sektorin financiar amerikan. Ajo u kalua me 74 vota pro dhe 25 kundër, dhe Shtëpia e Bardhë e përshkroi si jetësore për të shmangur një krizë të rëndë ekonomike.
Reagon bursa, Dau Xhonsit shton 300 pikë
Tregu njujorkez i aksioneve reagoi në mënyrë miqësore për nënshkrimin, por jo me eufori. Gjatë votimit, kur u bë e qartë se paketa do të miratohej, Indeksi i Dau Xhonsit shtoi rreth 300 pikë. Pas vendimit, barometri i bursës ra sërish, pas marrjes së fitimeve. Bursa e Nju Jorkut pati marrë të tatëpjetën pas dështimit të një versioni të paketës për të marrë votat e nevojshme nga kongresi.
Pas kësaj, senati e modifikoi paketën. Në projektin e miratuar janë përfshirë lehtësime të reja taksash për sipërmarrjet dhe për buxhetet e shtresës së mesme. Për ta bërë më tërheqesë paketën për deputetët, shtresa e mesme lehtësohet me modifikimin e paketës me 100 miliardë dollarë. Veç kësaj, kursimet e investuesve privatë dhe të sipërmarrjeve të vogla do të mbrohen në të ardhmen deri në një shumë prej 250 milionë dollarë, jo deri në kufirin e 100 milionë dollarëve, si deri tani. Por shkurtimet e taksave do të thonë megjithatë një rëndim tjetër për buxhetin.