Kukës, fluks njerëzish në doganën me Kosovën
Edhe pse sezoni i plazhit ka përfunduar, fluksi i lëvizjes nga Shqipëria në Kosovë e anasjelltas vazhdon të mbetet i lartë. "Për muajin shtator kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova 35.924 shtetas të huaj e shqiptarë, ndërsa kanë kaluar në Kosovë 32.723 shtetas të huaj e shqiptarë",
Hene, 06 Tetor 2008 10:57:00
Edhe pse ka mbaruar sezoni i plazhit, kosovarët preferojnë të udhëtojnë drejt Europës përmes Shqipërisë
KUKËS- Edhe pse sezoni i plazhit ka përfunduar, fluksi i lëvizjes nga Shqipëria në Kosovë e anasjelltas vazhdon të mbetet i lartë. "Për muajin shtator kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova 35.924 shtetas të huaj e shqiptarë, ndërsa kanë kaluar në Kosovë 32.723 shtetas të huaj e shqiptarë", - tha zëdhënësja e Drejtorisë së policisë së Qarkut të Kukësit, Irena Kroi.
Sipas saj, fluksi i madh i lëvizjes në të dy anët e kufirit ka bërë që të vazhdohet puna me tre sportele për kontrollin doganor në doganën e Morinit (Kukës) dhe me dy sportele në doganën e Qafë-Morinit (Tropojë). Kjo lëvizje në të dy anët e kufirit në këtë periudhë vjen pasi shumë shtetas kosovarë preferojnë të lëvizin përmes Shqipërisë për të shkuar pranë familjeve të tyre, apo për t'u rikthyer në vendet ku punojnë e banojnë.
Gjatë sezonit veror të këtij viti, megjithë fluksin e madh të lëvizjes, në të dy anët e kufirit nuk është shënuar asnjë incident apo ngjarje e jashtëzakonshme. Për të përballuar udhëtarët, drejtuesit e policisë vazhdojnë kontrollin me postoblloqe të dyfishta të lëvizshme në aksin rrugor Morin-Kukës-Qafë Shllak e Qafë Morinë-Bajram Curri-Fierzë. Në muajt korrik-gusht, përmes doganave me Kosovën kanë hyrë në Shqipëri rreth 170 mijë shtetas të huaj, kryesisht kosovarë, ose mbi katër mijë qytetarë në 24 orë. Aktualisht, në kufirin Shqipëri-Kosovë funksionojnë 5 pika kalimi kufitar - Morini, Orgjosti, Shishtaveci (Kukës), Qafë Prushi (Has) dhe Qafë Morina (Tropojë).
|