Të punësuarit në bizneset familjare do të konsiderohen si punëtorë me kohë të pjesshme dhe figuracion minimal
TIRANË- Kryeministri Berisha ka kërkuar sërish nga kryefamiljarët regjistrimin e të afërmve të tyre që janë të punësuar në biznese familjare. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, ai ka diskutuar çështjen e legalizimit të punëtorëve të familjes, duke pohuar se ky vendim nuk ka për qëllim të përfitojë arka e shtetit, por të vendosë dinjitetin e duhur në trajtimin e kësaj kategorie punonjësish.
Kryeministri shpjegoi se pagesa vjetore që do të bëhet nga punëdhënësit është simbolike dhe nuk do të rëndojë buxhetin e familjeve, por do t’u krijojë mundësi të punësuarve të përfitojnë pension. “Vendimi për sigurimet shoqërore të punëtorëve në familje u diskutua përsëri dhe u vendos që kjo kategori do të trajtohet si punëtorë me kohë të pjesshme. Kërkoj për këtë një mirëkuptim të plotë dhe total.
Ky vendim, nuk ka në mënyrë kategorike qëllimin e përfitimit të arkës së këtij shteti, por ka si qëllim vendosjen e dinjitetit njerëzor, të trajtimit human që meritojnë këta njerëz. Punëdhënësi do të paguajë gjithsej rreth 80 dollarë në vit, gjë e cila nuk rëndon buxhetin e tij, por legjitimon dhe krijon një mundësi pensioni për këtë kategori punonjësish.
Në tërësi këto janë gra dhe vajza, të cilat e bëjnë këtë punë për të përballuar jetën e tyre të përditshme. Kemi zgjedhur formën më minimale të detyrimit. I kemi konsideruar ata punonjës me kohë të pjesshme. Kemi vendosur vetëm sigurimin shoqëror dhe asgjë tjetër ndaj tyre dhe unë shpresoj që të ketë një mirëkuptim, në mënyrë që borgjezia e re të mos harrojë se karakteri social dhe fryma sociale duhet të jetë një nga tiparet më të rëndësishme të moralit të saj”,- tha dje Berisha.