Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, mbërrin sot në Tiranë për të nënshkruar dy marrëveshje për energjinë
Dy kompani italiane do të ndërtojnë kabllo dhe gazsjellës, por destinacioni kryesor është përtej Adriatikut
Dy projekte të mëdha energjetike, me vlerë 2.5 miliardë euro, do të nënshkruhen sot në Tiranë mes Kryeministrit italian, Berluskoni, dhe atij shqiptar, Berisha. Të paktën kështu shkruhet në versionin on-line të së përditshmes britanike “Financial Times”, e cila zbardh dhe disa nga detajet e këtyre kontratave.Sipas programit zyrtar, ministri shqiptar i Ekonomisë, Genc Ruli, do të nënshkruajë dy projekte energjetike me dy kompani italiane.
“Njëri do të nënshkruhet me grupin italian Falcone, me vlerë 1 miliard euro, për ndërtimin e një uzine rigazifikimi afër Fierit dhe një gazsjellësi nënujor drejt Italisë”, - shkruhet në faqen e internetit të kësaj gazete. Është propozuar një uzinë rigazifikimi e përmasave të mëdha, e cila do të marrë gaz nga Afrika e Veriut dhe Katari dhe do të furnizojë industrinë italiane dhe shqiptare.
Marrëveshja tjetër, prej 1.5 miliardë eurosh, me kompaninë e ndërtimit Moncada, parashikon ndërtimin e impianteve të prodhimit me erë të energjisë në Gadishullin e Karaburunit dhe të një kablloje që kalon nëpërmjet Adriatikut për në Itali.Sipas të përditshmes, “Financial Times”, deficiti në energji i Italisë dhe problemet e brendshme në ndërtimin e projekteve të reja, e bëjnë Shqipërinë një opsion tërheqës për të përftuar energji.
Propozimi i kompanisë Moncada për përftimin e energjisë me erë, me kapacitet 500 MW, përfshirë 250 turbina, konsiderohet si projekti më i madh në Europë. Falcione duket se ka mundur konkurencën e ASG Power, kompani me bazë në Zvicër, me 75 për qind të aksioneve të zotëruara nga Agim Gjinpali, një sipërmarrës shqiptari i Kosovës. Veç kësaj, grupi italian Marseglia, thotë se Berluskoni do të presë shiritin për projektin e energjisë me erë dhe të ndërtimit të kabllit nënujor, i cili tashmë e ka marrë aprovimin e Shqipërisë, ndërkohë që Zyra e Berluskonit ka mohuar një gjë të tillë.
Marseglia deklaroi më vonë për FT-në se do të ketë vetëm një takim me përfaqësuesit e kompanisë. “Financial Times”, shkruan se kriza kronike energjetike dhe ambiciet e Zotit Berisha për të krijuar një qendër rajonale energjie në vendin e dytë më të varfër të Europës, kanë krijuar një treg të ri për shumë kompani italiane.
Sipas saj, kjo ka edhe një kuptim tjetër për Berishën, i cili në qershor do të përballet me zgjedhjet dhe nevojës për të bindur shqiptarët e lodhur nga ndërprerjet, se shpëtimi është në rrugë e sipër. “Zoti Berisha po u ofron investitorëve kushte të favorshme, përfshirë edhe trojet e zotëruara nga pronari-shtet, për një shumë formale nën politikën e tij “Shqipëria një euro”.
Megjithatë, njerëzit e përfshirë në projekte, këshillojnë se ata mund të përballen me vonesa të stërgjatura, korrupsion, mungesë transparence gjatë miratimit të procedurave, mosmarrëveshjeve me titujt e pronësisë dhe rezistencë nga ambientalistët shqiptarë. Një nga kompanitë e huaja të përfshira në projekte, pretendon se zyrtarët shqiptarë kanë kërkuar ryshfet, megjithëse Tirana insiston se po ndjek procedurat e Bashkimit Evropian”, - shkruhet në version on-line të saj. Me sa duket, Kryeministri italian, Berluskoni, në vizitën e tij të sotme në Tiranë, nuk do të largohet duar bosh, ashtu siç bëri 6 vite më parë, kur takoi homologun e tij Fatos Nano.