Deri tani janë prezantuar shumë projekte, por asnjë nuk ka nisur nga puna
TIRANË- Shqipëria është kthyer prej kohësh në një treg të lakmueshëm për ndërtimin e veprave energjetike. Qeveria nuk ka hezituar të nënshkruajë disa marrëveshje, kryesisht në zonën e Fierit, por deri tani, asnjë projekt nuk ka nisur nga puna. Fillimisht u fol për kalimin e naftësjellësit AMBO, i cili do të transportonte naftë nga Azia drejt Perëndimit, duke iu miratuar edhe gjurma.
Për ndërtimin e një impianti rigazifikimi në zonën e Fierit, krahas grupit “Falcione”, marrëveshje me qeverinë shqiptare kishin nënshkruar edhe shoqëritë “ASG Power” dhe “EGL”. Në lidhje me realizueshmërinë e këtyre projekteve, ministri Ruli u shpreh se projekti i Falciones kishte avancuar më tepër në krahasim me dy të tjerët, prandaj edhe u miratua nga qeveria. “Jo domosdoshmërisht do të përfundojnë të trija”, - iu përgjigj Ruli pyetjes, nëse do të vazhdohet më tej në përmbushjen e projekteve të kompanive të tjera.
Ai deklaroi gjithashtu se, pas firmosjes së marrëveshjes me “Falcionen”, kompanive të tjera do t’ju duhet të bëjnë edhe njëherë studimin e fizibilitetit, nëse tregu ka nevojë për përfshrirjen e tyre. “Projektet e “ASG Power”-it dhe të “EGL”-së, ishin të lidhur njëri më ndërtimin e një gazsjellësi nga Kaspiku dhe tjetri me një TEC të madh në Jug të vendit. Përderisa ato kanë mbetur në vend, nuk ka sesi të realizohen këto projekte”, - u shpreh ministri, duke lënë të kuptohet se e vetmja kompani që do të ndërtojë impiant rigazifikimi, do të jetë “Falcione”.
Gjurma e gazsjellëlsit “TAP”, të “EGL”-së, ishte miratuar edhe nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit. Pas miratimit nga KKRT-ja, Kryeministri Berisha e kishte cilësuar këtë të fundit si projekt madhor, i cili do të shkurtontë hapësirat midis vendeve ku kalonte. Ky gazsjellës do të lidhej me rrjetin ndërkombëtar të gazit në Selanik, duke u futur në Shqipëri në qarkun e Korçës, për të vazhduar në Jug, në Kolonjë dhe Përmet dhe zonën e Tepelenës, duke u ngjitur në Veri, deri në zonën e Mallkastrës dhe do të dilte në Detin Adriatik, në bregdetin afër Fierit.
Vendimi
Këshilli i Ministrave miratoi dje kontratat koncesionare të firmës “BOT”, për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në zonën e Kukësit. Kështu, qeveria miratoi dje kontratat e lidhura nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me tre subjekte private, të bashkuara për ndërtimin e hidrocentraleve “Orgjost i Ri”, “Bele 1”, “Bele 2”, “Topojan 1” dhe “Topojan 2”.