Shehu: Për 2009-n janë 20 milionë dollarë dhe 10% e privatizimeve për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve
Ish-të përndjekurit
Shpërndarja e fondit, brenda 15 janarit
Brenda datës 15 janar do të nisë shpërndarja e dëmshpërblimit për 1100 ish-të përndjekurit e parë. Fondi prej 1 miliardë lekësh, i akorduar në buxhetin e vitit të kaluar do të shkojë për dëmshpërblimin e kësaj liste, të miratuar në mbledhjen e fundit të vitit 2008.
Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, tha për mediat se kjo ministri e ka depozituar këtë fond në një llogari të posaçme. “Personat që do të përfitojnë do të hapin nga një llogari bankare në një prej bankave të nivelit të dytë, pasi ajo të përcaktohet nga ministria përkatëse”,- tha Shehu.
Skema
Në buxhetin e vitit 2008, qeveria parashikoi 10 milionë dollarë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe burgosurve politikë. Sipas ligjit, 1100 ish-të përndjekurit do të përfitojnë një kompensim financiar deri në 1 milion lekë, ndërsa vlera minimale e kompensimit do të jetë jo më pak se 100 mijë lekë.
Shuma e kompensimit do të ndahet në tetë këste dhe shpërndarja do të nisë brenda këtyre dy javëve. Lista prej 1100 personash është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë sipas një procedure të veçantë për identifikimin e personave dhe përcaktimin e shumave. Në buxhetin e këtij viti, për dëmshpërblimin e kësaj shtrese janë parashikuar 2 miliardë lekë.
Zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, tha se kësaj shume do t’i shtohen edhe 10 për qind e të ardhurave nga privatizimi i INSIG-ut dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. E njëjta shumë do të shkojë edhe për kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Është menduar që nga shuma që do të arkëtohet nga privatizimi i OSSH-së dhe INSIG-ut, 50 për qind do të përdoret për pagimin e kredive, pra për zbutjen e borxhit, 30 për qind për investime dhe 10 për qind për të përndjekurit, si dhe një 10 përqindësh tjetër për kompensimin e ish-pronarëve”, - deklaroi Shehu.
Për OSSH-në janë ofruar 102 milionë euro, ndërsa INSIG-u është shitur për 41 milionë euro. Këtë vit, shpërndarja e dëmshpërblimit është paralajmëruar të nisë në muajin mars, në mënyrë që të evitohet rreziku i ndonjë djegieje të mundshme të fondit. Ndërsa të ardhurat që do të përfitohen nga privatizimi i kompanive publike varet nga koha e arkëtimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Skema e dëmshpërblimit financiar për ish-të përndjekurit dhe të burgosurit politikë do të zgjasë për tetë vite me radhë.
Në total janë rreth 17 mijë e 500 dosje të miratuara nga Ministria e Drejtësisë për të përndjekurit dhe ish-të burgosurit. Pagesa e miratuar për dëmshpërblim, në bazë të ligjit është 2 mijë lekë për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30 nëntor 1944 deri më 1 tetor 1991. Ndërsa me 1 mijë lekë në ditë do të dëmshpërblehen financiarisht personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954.
-1100 ish-të përndjekur politikë do të përfitojnë nga 100 deri në 1 milion lekë shpërblim nga buxheti i vitit të kaluar
-17500 është numri i ish-të përndjekurve që parashikohet të përfitojnë dëmshpërblim financiar
-1 miliard lekë është fondi për kompensimin financiar të 1100 ish-të përndjekurve të parë, që përfitojnë dëmshpërblim
-2 miliardë lekë është fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për këtë viti, për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve
-140 milionë euro është shuma që parashikohet të arkëtohet nga privatizimet e OSSH-së dhe INSIG-ut
-10 për qind e të ardhurave nga privatizimet do të shkojnë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë
- 10 për qind e të ardhurave nga privatizimet do të shkojnë për kompensimin financiar për ish-pronarët
Ish-të përndjekurit kundërshtojnë dëmshpërblimin me letra me vlerë
Ata pretendojnë se qeveria nuk ka marrë parasysh kërkesat e tyre për shpërndarjen dhe mënyrën e dëmshpërblimit
TIRANË – Ish-të përndjekurit politikë kundërshtojnë dëmshpërblimin nëpërmjet letrave me vlerë që qeveria parashikon të aplikojë për këtë shtresë. Ata kanë ngelur të habitur kur kanë parë listën e fituesve që u miratua nga Këshilli Ministrave në fund të muajit dhjetor. Ish-të përndjekurit dhe burgosurit politikë janë ndeshur me dëmshpërblimin në formën e letrave me vlerë, çka nuk ishte parashikuar në marrëveshjet e mëparshme.
Letrat me vlerë duket se nuk kanë asnjë rëndësi për këta të fundit, të cilët prisnin një qartësi më të madhe për këtë proces. Duket se fondi prej 2 mijë lekësh për çdo ditë burgim është shndërruar nga strukturat qeveritare në letra me vlerë. Akoma më e paqartë mbetet për ish-të përndjekurit edhe mënyra e dëmshpërblimit.
Ky fakt, me gjithë shpalljen e listës së fituesve, ka bërë që shumë prej të përndjekurve në ditën e djeshme t’u drejtohen strukturave dhe shoqatave vendore për ish-të përndjekurit për të marrë një shpjegim më të detajuar për këtë çështje. Instituti i Ish-të Përndjekurve Politikë, ka pasur ankesa për këtë ligj edhe më parë. Para dy muajsh ai ka bërë tri kërkesa në lidhje me ligjin për dëmshpërblimet për këtë kategori, por që duket se pas shpalljes së parë të fituesve këto kërkesa nuk janë marrë parasysh.
Në këto kërkesa thuhet se duhet të njiheshin për dëmshpërblim edhe pushkatimet pa gjyq. Të njiheshin vërtetimet e komisionit tripalësh të krijuar në vitin 1993. Gjithashtu, nëse personat nuk kanë trashëgimtarë, dëmshpërblimin ta mund ta përfitojë motra ose vëllai. Këto kërkesa duket se nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur nga Ministria e Drejtësisë.
Por, duket se faktori kryesor për shpalljen e një pjese të fituesve ka qenë nxitimi për të mos djegur fondin e parashikuar në buxhet për vitin 2008. Kjo ka bërë që edhe shumë prej kërkesave dhe kundërshtimeve për këtë ligj të anashkalohen me lehtësi.
Për vitin e kaluar, ish-pronarët nuk përfituan kompensim financiar, ndërsa fondi për 2009-n është 600 milionë lekë
Ish-pronarët: Këtë qeveri do ta ndëshkojmë me votë
Reshit Vorpsi: Nisma e qeverisë për kompensimin e ish-pronarëve është demagogji. Do të bëjmë bilancin para zgjedhjeve
TIRANË- Ish-pronarët kërcënojnë se do ta dënojnë me votë në zgjedhjet e ardhshme legjislative mazhorancën në pushtet, për mënyrën se si ajo e ka trajtuar çështjen e kompensimit të tyre përgjatë periudhës së qeverisjes së saj. Anëtari i kryesisë së shoqatës Pronësi me Drejtësi, Reshit Vorpsi, e ka cilësuar si demagogjike nismën e qeverisë për kompensimin e kësaj shtrese të shoqërisë.
“Nisma e qeverisë për dëmshpërblimin e ish-pronarëve, mund të konsiderohet demagogji e vazhdueshme, e cila nuk ka ofruar kurrë zgjidhje”,- tha Vorpsi. Ai deklaroi se për të orientuar votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ish-pronarët do të bëjnë një analizë të sjelljes së qeverisë ndaj tyre në lidhje me kompensimin e pronës së sekuestruar gjatë diktaturës.
“Përderisa është një vit elektoral, edhe ish-pronarët shqiptarë duhet të bëjnë një bilanc në lidhje me sjelljen e qeverisë ndaj tyre gjatë këtij mandati. Pas bërjes së këtij bilanci, gjithsecili do të dijë se si ta orientojë votën e tij. Kam frikë se ajo nuk do të shkojë për mazhorancën aktuale”,- deklaroi ai, duke nënvizuar faktin se qeveria ende nuk e ka bërë publike faturën e plotë financiare që shteti shqiptar duhet t’u japë këtyre të fundit.
“Qeveria e ka shifrën e plotë financiare që shteti shqiptar duhet t’i dëmshpërblejë ish-pronarët, por nuk e bën publike, pasi ajo është shumë e madhe dhe shifra prej 27 mijë hektarë, Ministria e Bujqësisë ka deklaruar se do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve, është e pakonsiderueshme në raport me detyrimet reale”, - shtoi më tej Vorpsi. Sipas tij, janë mbi 80 milionë m² tokë truall, që shteti duhet t’u kompensojë këtyre të fundit.
Kompensimi
Për vitin 2008, qeveria parashikoi në buxhet 500 milionë lekë, por fondi i kompensimit nuk arriti të shpërndahej në kohë tek kjo shtresë. Por, kryeministri Berisha ka deklaruar në fund të vitit se edhe ish-pronarët do të marrin kompensimin financiar dy javët e para të janarit. Në buxhetin e këtij viti, qeveria ka parashikuar 600 milionë lekë, ose më shumë se 6 milionë dollarë për kompensimin financiar.
Kësaj shume qeveria ka premtuar t’i shtojë edhe 10 për qind të të ardhurave që pritet të arkëtohen nga privatizimet e INSIG-ut, që është shitur për 41 milionë euro dhe OSSH-së, për të cilën një kompani çeke ka ofruar 102 milionë euro.
Gjithashtu, për ish-pronarët të aplikohet edhe kompensimi fizik, duke shfrytëzuar fondin prej 27 mijë hektarë tokë që Ministria e Bujqësisë ka veçuar për ta. Deri në fund të vitit, në agjencitë rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, janë dorëzuar 704 dosje nga ish-pronarët.
ZQRPP-ja nis verifikimin për fshirjen e mbivendosjes së pronave
Çdo person, të cilit i hiqet e drejta e pronësisë, pas verifikimit, ka të drejtë të ankohet brenda 30 ditëve nga vendimi
Brenda vitit 2009 do të ketë vetëm një pronar të ligjshëm të pasurisë së patundshme. Të paktën këtë ka marrë përsipërtë realizojë Zyra e Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pasmiratimit të udhëzimit nga Këshilli i Ministrave për fshirjen e regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre që krijojnë mbivendosje,ZQRPP-ja ka bërë të ditur masat që do të merren për të përfunduar këtë proces.
Kështu, burimet zyrtare bëjnë të ditur se në të gjitha zyrat vendore të regjistrimit të pasurive do të fillojë menjëherë procesi i fshirjes së regjistrimeve në pronat që ka mbivendosje. Ky proces, sipas parashikimeve të ZQRPP-së, pritet të zgjasë deri në fund të vitit 2009. Në përfundim të tij nuk do të ketë më dy ose më shumë pronarë për të njëjtën pasuri, apo për pjesë të caktuara të një pasurie të patundshme.
Kryeregjistruesi Arben Qirjako ka udhëzuar regjistruesit vendorë që të kenë këtë proces si prioritet përkrah veprimtarive të përditshme të zyrave. Kryeregjistruesi i republikës ka urdhëruar edhe kryerjen e një verifikimi për të gjithë regjistrimet e paligjshme që janë kryer në kundërshtim me Kodin Civil pas vitit 1994.
Nga ky verifikim rezulton të ketë regjistrime të paligjshme dhe regjistrime që krijojnë mbivendosje të plotë apo të pjesshme të pasurive. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të udhëzimit të Këshillit të Ministrave do të procedohet me verifikimet individuale, rast pas rasti, të këtyre regjistrimeve. ZQRPP-ja garanton se gjatë këtij procesi nuk do të ketë asnjë lloj paragjykimi apo fushatë kolektive të fshirjes së pasurive.
Gjithçka do të bëhet në zbatim të nenit nr.10 të ligjit për regjistrimin e pasurive dhe udhëzimit në zbatim të tij, në respekt të plotë ndaj procedurave që urdhëron ligji dhe udhëzimi i qeverisë.
Procedura është krejtësisht e qartë dhe çdo subjekt i prekur nga vendimet që do të marrë ZQRPP-ja, ka mundësi që, brenda 30 ditëve, pasi procesi ka përfunduar në ZQRPP, të bëjë ankimim në gjykatë për të zgjidhur problemin. Sipas kryeregjistruesit Arben Qirjako ky është një proces i domosdoshëm për të çuar në vend çështjen e së drejtës së pronësisë.