Metodat statistikore japin vlerësim të saktë të rritjes ekonomike, me dy vite vonesë
Debati për shifrën e rritjes ekonomike nuk ka përfshirë vetëm dy kampet kundërshtare të politikës, por edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë. Kryeministri Berisha ka shkëmbyer dje replika të ashpra me ministrin dhe zëvendësministrin e Financave mbi treguesin e rritjes ekonomike. Shifra prej 9.9% e rritjes ekonomike, ka qenë objekti i debatit të ashpër mes kreut të qeverisë dhe drejtuesve të lartë të financave shqiptare.
Kryeministri Berisha nuk ka lëvizur nga istikami, duke deklaruar se rritja ekonomike është 9.9%, ndërsa Bode dhe Mima janë përpjekur të argumentojnë nivelin e rritjes vjetore në kufijtë e 7-8 përqindëshit. Të dy palët i janë referuar Institutit të Statistikave për këto të dhëna, por duke i interpretuar në mënyrë të ndryshme.
Pas fjalës së zëvendësministrit Mima, i cili po fliste për treguesit makroekonomikë, ku rritja vjetore ekonomike ishte në nivelet 7-8%, kryeministri Berisha ka reaguar menjëherë. “Shifra është nxjerrë nga Instituti i Statistikave dhe nuk ke asnjë të drejtë ti”, - iu drejtua kryeministri zv.ministrit Mima. “As ministri yt dhe asnjë njeri, në qoftë se nuk i gjen gabimet apriori, t’ia hedhësh poshtë, se të leverdis.
Është një praktikë absolutisht e papranueshme”, - tha ai. Ndërsa ministri Bode tha se këto shifra janë nxjerrë pas kontakteve të marra në drejtorinë e Statistikave. “Dhe ata më kanë thënë që rritja vjetore mund të jetë në kufijtë 7 deri në 8 për qind”, - tha Bode. Por, kryeministri i ka akuzuar dy drejtuesit e Ministrisë së Financave se kanë konflikt interesi me shifrën e rritjes ekonomike. Ai tha se shifrat janë certifikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Rritja
Para pak javësh, Instat-i deklaroi se rritja ekonomike vjetore për tremujorin e tretë të këtij viti arrinte në 9.9 për qind, duke kapur rritjen dyshifrore të ekonomisë shqiptare. Rritja ishte deri në këtë tremujor dhe këtu përfshihet periudha nga 3-mujori i fundit i vitit 2007, deri në shtator të 2008-s. Shifra 9.9 për qind e rritjes ekonomike është tregues i tendencës së rritjes ekonomike dhe jo domosdoshmërisht ajo përputhet me rritjen vjetore të ekonomisë.
Norma e rritjes ekonomike, sipas metodës që Instat-i i ka adoptuar nga vende të zhvilluara, del vetëm me dy vite kohë vonesë dhe gjithçka tjetër konsiderohet si parashikim. Debati për shifrat e rritjes ekonomike bëhet për parashikimet që bëjnë ekspertët e financave për arkëtimin e të ardhurave në buxhet. Kështu, nëse rritja ekonomike do të jetë 9.9%, atëherë ministria duhej të parashikonte një rritje të të ardhurave në buxhet, gjithmonë kjo në vlerë absolute.
Debati Berisha-Bode-Mima
Berisha: Shifra është nxjerrë nga institutet e statistikave dhe nuk ke asnjë të drejtë ti (i drejtohet zv.ministrit të Financave) as ministri yt dhe asnjë njeri, në qoftë se nuk i gjen gabimet apriori, t’ia hedhësh poshtë, se të leverdis. Është një praktikë absolutisht e papranueshme.
Bode: Ne kemi marrë kontakt me drejtorinë e Statistikave dhe...
Berisha: Edhe unë kam marrë kontakt shumë të hollësishëm me të.
Bode: Dhe ata më kanë thënë që rritja vjetore mund të jetë në kufijtë 7 deri në 8 për qind.
Mima: Ne jemi në respekt për të informuar çdo fillim janari komitetin e planifikimit të strategjive lidhur me treguesit makro. E vërteta është që ne kemi vetëm tre tremujorë për vitin 2008.
Berisha: Ju, të nderuar zotërinj, jeni në konflikt të hapur interesi me shifrat. E kuptoni vetë ju, prandaj axhustimi do të bëhet i të gjitha të dhënave me shifrën që jep Instituti i Statistikave. Jam plotësisht dakord që ajo që ka biseduar edhe Ridvani, që tremujoret mund të kenë një mesatarizim, por ama shifër tjetër ne nuk mund të përdorim. Janë të certifikuara nga Fondi Monetar