Rrudho dhe Muzaka, përforcimet e Tiranës?!
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, duket i pangopur në merkaton e skuadrës së tij. Madje, emrat e lojtarëve që priten të zyrtarizohen si bardheblu tregojnë dëshirën dhe vendosmërinë e kryedonatorit të 23 herë kampionëve të Shqipërisë për të vendosur "hegjemoninë" në sezonin e ri futbollistik.
Florian Behlula
Enjte, 28 Gusht 2008 09:22:00
Sulmuesi që vjen nga Italia ka rënë dakord, për mesfushorin e kuq gati "dëmshpërblimi"
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, duket i pangopur në merkaton e skuadrës së tij. Madje, emrat e lojtarëve që priten të zyrtarizohen si bardheblu tregojnë dëshirën dhe vendosmërinë e kryedonatorit të 23 herë kampionëve të Shqipërisë për të vendosur "hegjemoninë" në sezonin e ri futbollistik. Kësisoji, Xhulian Rrudho dhe Gjergji Muzaka, sipas burimeve të sigurta pranë klubit bardheblu, shumë shpejt do t'i bashkohen Tiranës, duke u bërë pjesë e saj në sezonin futbollistik që sapo ka nisur. I pari, sulmuesi i ardhur nga ekipi i Kievos, Xhuljano Rrudho, duket se tashmë është thuajse i kaluar te bardheblutë, pasi ka rënë dakord me të gjitha detajet e kontratës. Rrudho, pasi ka refuzuar kalimin te të kuqtë e Partizanit, ka rënë parimisht dakord me presidentin Refik Halili dhe tashmë mbetet vetëm firmosja e kontratës.
Por, Refik Halili, duket se nuk do të mjaftohet vetëm me kaq. Pasi i ka marrë Partizanit rival Tefik Osmanin, një nga lojtarët e dalluar në sezonin e shkuar, tashmë ka gati "goditjen" e radhës, po nga kampi i kuq. Bëhet fjalë për Gjergji Muzakën, talentin e kuq dhe një nga idhujt e tifozërisë së Partizanit, i cili, pasi ka bërë sherr me presidentin Albert Xhani, e konsideron veten pjesë të një skuadre tjetër. Presidenti Xhani kishte kërkuar në fillim 250 mijë euro, për ta lënë futbollistin të lirë, ndërkohë që ankimimi i futbollistit në FSHF ka dështuar, kësisoji mbetet "peng" i klubit të kuq. Kjo do të thotë se vetëm një marrëveshje mes Xhanit dhe Halilit, si në rastin e Osmanit, mund ta bëjë të mundur kalimin e Muzakës te Tirana. Një version përditë e më i besueshëm ky, në fakt. Muzaka ka patur një bisedë me presidentin Halili dhe me sa duket, ai do të përfundojë te bardheblutë.
|