Trajneri i kombëtares, Ari Han, publikon 21 të besuarit e tij për dy ndeshjet e para eliminatore
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Me Suedinë do të jenë sulmuesit Erion Bogdani dhe Besart Berisha, të cilët nuk u grumbulluan nga trajneri i kombëtares, Ari Han, për miqësoren e 20 gushtit me Lihtenshteinin. Përveç tyre, në kombëtare rikthehet portieri Ilion Lika, që po kalon një formë të mirë te Tereku i Groznit. Duke parë zhgënjimin e kuqezinjve me modestët e Lihtenshteinit, holandezi mendoi ndryshimet, të cilat natyrisht prekën më shumë repartin ofensiv. Me 21 lojtarët e thirrur nga trajneri Han, këtë herë konkurrenca për një vend në formacion është shtuar, pavarësisht se një pjesë e lojtarëve duken të palëvizshëm.
Nga burime pranë holandezit, mësohet se idetë e tij për variantin taktik që do të përdoret me nordikët, do të jenë po ato të miqësores së fundit, ku u luajt me një sulmues. Megjithatë, skema në formën e pemës së krishtlindjeve ka dy-tri dilema për pozicionet e lojtarëve në fushë. Ndaj ekipit të "yllit" Zlatan Ibrahimoviç, sipas të gjitha gjasave trajneri kuqezi do të kthejë në mbrojtje Lorik Canën.
Ky i fundit e ka bërë mirë këtë rol, qoftë me kombëtaren, sidomos në ndeshjen për eliminatoret e Euro 2008-ës në Bullgari, gjithashtu tek Olimpiku i Marsejës. Dhe nëse bëhet kjo lëvizje, automatikisht Debatik Curri kalon në vendin e Canës. "Trajneri jo më kot e kaloi Currin në pjesën e dytë të miqësores me Lihtenshteinin në mesfushë,"- konfirmojnë për gazetën burime pranë holandezit. Në repartin e mesfushës, te Vorskla, Debatik Curri jo vetëm është paraqitur mirë, por është dalluar edhe si golashënues.
Megjithatë, përparësia ndaj Suedisë do të jetë mbrojtja. Dhe duke ngelur këtu, për krahun e majtë, i cili duket më i pastabilizuari në kombëtare, këtë herë pritet rikthimi i Kristi Vangjelit. Në mesfushë, sidomos në krahun e djathtë, aty ku trajneri Ari Han kritikoi lojën e Klodian Duros, vendi është gati për Besart Berishën. Të gjitha këto lëvizje janë përforcuar në mendjen e holandezit, sidomos pas miqësores së fundit. Por mbi të gjitha, dilema më e madhe e tij duket se është sulmi. Me një të vetëm, tani Hanit i duhet të zgjedhë mes Kapllanit, Bogdanit dhe Salihit. Edhe pse i pari duket më i favorizuar, asgjë nuk është e sigurt. "Bogdani nuk është thirrur për t'u mbajtur në stol,"- tregojnë burime pranë stafit kuqezi.
Lista për Suedinë dhe Maltën
Portierë
Arjan Beqaj(Anorthosis)
Isli Hidi(Alqi Larnaka)
Ilion Lika(Terek Grozni)
Mbrojtës
Armend Dallku(Vorskla)
Debatik Curri(Vorskla)
Kristi Vangjeli(Aris)
Andi Lila(Tirana)
Admir Teli(Haxhetepe)
Endri Vrapi(Elbasan)
Ansi Agolli(Tirana)
Mesfushorë
Altin Lala(Hanover 96)
Lorik Cana(Marsejë)
Ervin Skela(Kotbus)
Klodian Duro(Omonia)
Jahmir Hyka(Mainz 05)
Ervin Bulku(Krivbas
Elis Bakaj(Partizani)
Sulmues
Erion Bogdani(Kievo)
Hamdi Salihi(Ried)
Edmond Kapllani(Karlsruhe)
Besart Berisha(Rozenborg)