Trajneri holandez mendon se skuadra ka bërë më të mirën në stadiumin “Qemal Stafa” ndaj suedezëve
Ka debutuar me sukses në krye të kuqezinjve trajneri Ari Han, ndaj një kundërshtari mjaft të fortë, Suedisë, që në gjirin e vet kishte një "yll" të vërtetë, ndoshta lojtarin më impresionues që ka shkelur në "Qemal Stafa", Zllatan Ibrahimoviçin. Trajneri i kombëtares sonë, i cili dje, edhe pse ia dedikoi grupit pikën e marrë, ka meritën e tij të padiskutueshme. Madje, ka fituar ndaj të gjithëve, edhe ndaj skeptikëve, që e "thumbonin" me emra të veçantë lojtarësh.
Në fjalën e tij, pas ndeshjes, holandezi kuqezi, Ari Han, mes të tjerash është shprehur: "Ishte ndeshja e parë zyrtare për mua si trajneri i Shqipërisë, por njëkohësisht ishte edhe ndeshja e parë eliminatore në grupe, për "Botërorin 2010". Kjo do të thotë se bëhej fjalë për një ndeshje mjaft të rëndësishme, mjaft të vështirë, në të gjitha kuptimet, pasi nuk e di se ku je. Barazuamme Suedinë, një kundërshtar shumë i fortë për këdo, prandaj duhet të dimë ta vlerësojmë edhe rezultatin.
Nëse Suedia do të humbasë në 2-3 ndeshje të tjera në grup, atëherë do të thonë të gjithë se kemi luajtur mirë ndaj tyre. Skuadra punoi saktë dhe i zbatoi më së miri detyrat që i kisha dhënë. E kishim studiuar Suedinë në disa ndeshje të saj, sidomos në finalet e "Euro 2008"-ës, por edhe në ndeshjen e fundit miqësore me Francën. Në fakt, ndaj nesh kishin ndryshuar sistemin e lojës, por ne iu përshtatëm duke reaguar. E nisa ndeshjen me një sulmues, sepse duhej t'i kushtonim shumë vëmendje lojës mbrojtëse, sepse duhej të përballeshim me një lojtar si Ibrahimoviçi, që, për mendimin tim, nuk ka mbrojtës që ta ndalojë.
Megjithatë, ne na eci mbarë, kjo e ndihmuar edhe nga zbehtësia e Larsonit. Ibrahimoviçi mbeti i vetmuar në sulm, ndërkohë që mbrojtësit tanë bënë të pamundurën për ta neutralizuar. Aktivizova Salihin që në fillim, sepse i tillë ishte vendimi që duhej të merrja, i kushtëzuar nga skema që do të përdornim. Jam i kënaqur nga loja e tij, ashtu siç më ka lënë mbresa edhe Berisha. Të dy e kanë bërë më së miri detyrën e tyre.
Eliminatoret e djeshme
Grupi 1
Hungari - Danimarkë 0-0
Shqipëri – Suedi 0-0
Maltë - Portugali 0-4
Grupi 2
Moldavi - Letoni 1-2
Izrael - Zvicër 2-2
Luksemburg - Greqi 0-3
Grupi 3
Poloni - Slloveni 1-1
Sllovaki - Irlanda V 2-1
Grupi 4
Uells - Azerbaixhan 1-0
Lihtenshtein - Gjermani 0-6
Grupi 5
Armeni – Turqi 0-2
Belgjikë - Estoni 3-2
Spanjë - Bosnje 1-0
Grupi 6
Ukraine - Bjellorusi 1-0
Andorra - Angli 0-2
Kroaci - Kazakistan 3-0
Grupit 7
Rumani - Lituani 0-3
Serbi - Ish.Faroe 2-0
Austri – Francë 3-1
Grupi 8
Gjeorgji - Irlandë 1-2
Mali i Zi - Bullgari 2-2
Qipro - Itali 1-2
Grupi 9
Maqedoni - Skoci 1-0
Norvegji - Islandë 2-2
Ndërkohë, për të sqaruar edhe diçka për sulmin tonë, më duhet të them se lojtarë të tillë konsideroj edhe Hykën, Skelën, Duron. Ata marrin pjesë aktive në fazën ofensive të skuadrës, kështu që i bie që ndaj Suedisë të kemi luajtur me 4 sulmues, jo vetëm me një, Salihin e deklaruar. Sa i takon lojës në total, jam i kënaqur, edhe pse patëm disa probleme në momente të veçanta. Aplikuam topin e gjatë dhe të shkurtër, gjë që mendoj se na dha rezultat. Sinqerisht i përgëzoj të gjithë lojtarët, sepse e ndihmuan reciprokisht njëri-tjetrin dhe dhanë maksimumin e tyre në funksion të skuadrës.
Ndaj Suedisë pashë reagim, sidomos në teprimet me lojën individuale dhe mbajtjen e topit. Kjo më gëzon, sepse futbolli i sotëm kërkon shpejtësi në veprime dhe lojë grupi. Falë kësaj fryme, të lojës së grupit, arritëm ta eliminonim sa mundëm edhe Ibrahimoviçin, të cilin, për çdo mbrojtje, është thuajse mision i pamundur ta ndalësh. Fatmirësisht, na eci edhe mbarë me të. Dua të vlerësoj edhe lojën e Beqirit, të cilin e pashë në ndeshjen ndaj Partizanit dhe më pëlqeu. E ftova në kombëtare, e pashë edhe në stërvitje dhe vendosa ta aktivizoja pa hezitim. Pastaj, Beqirin nuk e solla unë në kombëtare, ai ka qenë këtu.
Madje, është një "dhelpër" e vjetër, kështu që ia doli me mjaft sukses. U integrua shumë mirë me grupin. Nuk ra shumë në sy, por për mendimin tim luajti shumë mirë. Tani, të mërkurën, kemi ndeshjen me Maltën, edhe kjo një sfidë e vështirë. Natyrisht, ne do të kërkojmë fitoren, por nuk do të jetë e lehtë. Duhet t'i japim vlerësimin e duhur këtij kundërshtari, ndryshe do të vuajmë si me Lihtenshteinin. Sigurisht, do të ndryshojmë edhe skemën e lojës, me më shumë forca sulmuese, sepse s'mund të luajmë si ndaj Suedisë, pasi Malta është tjetër. Kemi një kombëtare të mirë, e cila kërkon edhe pak punë, por premton shumë. Kjo më gëzon."