MEDIAT SUEDEZE: Barazimi në Tiranë ka rritur nervozizmin në radhët e skuadrës nordike
Barazimi 0-0 nuk ka lënë shije të mirë te mediat suedieze, të cilat kanë qenë kritike me ekipin kombëtar, pasi ndeshja me Shqipërina ka nxjerrë në pah Suedinë e vërtetë. Ky barazim e ka rritur nervozizmin edhe në radhët e skuadrës, ku pjesa më e madhe e futbollistëve nuk e kanë pëlqyer skemën e re që trajneri Lagerbag adaptoi për ndeshjen me Shqipërinë. Titujt e gazetave suedeze janë të ndryshme. "0-0 nuk është katastrofë," - shkruan Simon Bank.
Ka pasur komente të ndryshme rreth performancës së kombëtares suedeze dhe trajnerit Lagerbak që e drejton ekipin prej një dekade.
"Pasi kemi mashtruar kundërshtarët prej 10 vitësh, tani kemi filluar të gënjejmë edhe veten. Lars Lagerbak nuk është Zeman, Olof Melberg nuk është Pirlo, sigurisht edhe 0-0 me Shqipërinë nuk është katastrofë," - shkruan gazetari Simon Bank. Gazetari i "Aftonbladet" nuk është kursyer me kritika për trajneri Lagerbak, pasi skema që përdori në ndeshjen me Shqipërinë nuk i përshtatet Suedisë. "Mendoj se diçka i mungoi idesë brilante të Lars Lagerbakut dhe Roland Andersonit.
Besoj se skema 3-5-2 nuk është për Suedinë, megjithatë në përballjen me Shqipërinë nuk ishte problem vetëm skema, pasi problemi më i madh ishte mënyra se si lojtarët u shprehën në fushën e lojës. Melberg ka qenë një nga kritikët më të mëdhenj të kësaj skeme të re. Fillimisht fjalët e Melbergut u morën si një justifikim, për ndonjë të papritur që mund të ndodhte në mbrojtjen suedeze, pasi krijoheshin më shumë hapësira.
Por ndaj Shqipërisë mbrojtja e bëri punën e saj. Ishte loja sulmuese, problemi më i madh i Suedisë, pasi shikohej se ekipi nuk ishte i qartë në fazën përmbyllëse të aksioneve. Mungonte pasi i saktë dhe qarkullimi i shpejtë i topit,"- vazhdon më tej komenti i gazetës suedeze "Aftonbladet". Më tej jepen përgëzime për lojën e kombëtares shqiptare, pasi, sipas medias suedeze, kuqezinjtë ishin të disiplinuar në lojën e tyre, ku e përqendruan lojën më shumë në mesin e fushës, në mënyrë që ta mbanin kundërshtarin sa më larg portës. "Për të mundur Shqipërinë, Suedisë i duheshin Andrea Pirlo, Esteban Kambiaso dhe Serxhio Ramos, pasi vetëm me këta lojtarë mund të shkatërrohej kompaktësia e kuqezinjve. Nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë, pasi kjo është Suedia e trajnerit Lagerbak,"- vijon më tej shkrimi i gazetës suedeze.