"Të kuqtë" fitojnë ndaj Sitit, pavarësisht nga disavantazhi i dyfishtë. Bind Çelsi, dështon Totenhemi
Liverpuli vazhdoi garën për titullin në Premier Ligë, falë një fitoreje të jashtëzakonshme ndaj Mançester Sitit, në ndeshjen e luajtur dje për javën e tetë. "Të kuqtë" e mbyllën pjesën e parë në disavantazh të dy golave, por Fernando Torres shënoi dy herë duke barazuar rezultatin dhe vendësit mbetën me dhjetë futbollistë. Në minutën e fundit, holandezi Dirk Kuit shënoi golin e fitores për të besuarit e Benitezit, që renditen në vendin e parë, me pikë të barabarta me Çelsin. Çelsi i Skolari ka një golavarazh më të mirë dhe dje fitoi pastër, 2-0 ndaj Aston Vilës. Pavarësisht nga mungesa e tetë futbollistëve, "blutë" zgjidhën gjithçka brenda pjesës së parë me golat e shënuar nga Xho Kol dhe Nikolas Anelka.
Liverpuli dhe Çelsi kanë nga 17 pikë, ndërsa pas tyre, në vendin e tretë me 14 pikë, gjendet surpriza e këtij kampionati, Hulli. Ekipi i ardhur nga kategoria e dytë arriti një tjetër fitore historike në Londër. Shtatë ditë më parë, ata mundën Arsenalin, ndërsa dje fituan 1-0 ndaj Totenhemit, që ndodhet në vendin e fundit. Braziliani Xhovani, me goditje dënimi, shënoi golin e fitores për Hullin dhe rriti së tepërmi presionin mbi trajnerin e "spërsave" Huande Ramos. Në ndeshjet e tjera të luajtur dje për javën e tetë, Boltoni fitoi 3-1 në "Upton Park" ndaj Uest Hemit, duke i shkaktuar humbjen e parë trajnerit Xhianfranko Zola. Portsmuthi vuajti disi, por arriti të fitojë 2-1 ndaj Stokes me golat e shënuar nga dyshja sulmuese, Piter Krouç-Xhermein Defo. Për skuadrën e Redknapit kjo ishte ndeshja e shtatë në 22 ditët e fundit.
Ndeshjet e tjera u luajtën të shtunën. Mançesteri ka fituar 2-0 në fushën e Blekbërnit, duke ngjitur disa shkallë njëherazi në renditje. Pas gjysmë ore lojë, Ues Braun shënoi me kokë, pas një hezitimi të portierit Pol Robinson. Në sfidën që u luajt nën shiun e rrëmbyeshëm. Arsenalit iu fal një gol i shënuar në minutën e fundit nga Çesk Fabregas, për të shmangur humbjen ndaj Sandërlendit. Uest Bromuiç fitoi 1-0 ndaj Fulhemit, në sajë të goditjes perfekte të Roman Bednerit, pas një ore lojë. Midëllsbrou fitoi në fushën e Uiganit.