Organi disiplinor i UEFA s do të vendosë, në lidhje me mundësinë e aktivizimit në Ligën e Kampionëve nga ana e Realit të Madridit të dy blerjeve të reja të kësaj skuadre. Bëhet fjalë për Klas Jan Huntelarin dhe Lasana Diarra. Zëdhënësi i UEFA s, Rob Folkner, ka thënë se Reali ka ushtruar të drejtën për të pasur një seancë dëgjimore nga organi disiplinor i UEFA s, pasi i është thënë se vetëm njëri prej këtyre dy lojtarëve mund të regjistrohet për të luajtur në Ligën e Kampionëve.
"Klubi spanjoll është lajmëruar formalisht se nuk mund t'i aktivizojë të dy lojtarët në Ligën e Kampionëve dhe ka kërkuar një seancë dëgjimore," - tha Folkner. Rregullat e kompeticionit në fjalë janë të qarta dhe thonë se një klub mund të regjistrojë deri në tre lojtarë të rinj për fazën e ndeshjeve të drejtpërdrejta deri më 1 shkurt, por vetëm një lojtar që ka luajtur në kupat e Europës këtë sezon. Reali i Madridit është i gatshëm t'i sfidojë rregullat e UEFA s, duke i regjistruar të dy lojtarët.
Madje, spanjollët janë të gatshëm të shkojnë deri në apelim te Gjykata e Arbitrimit Sportiv, nëse UEFA i hedh poshtë kërkesën për të aktivizuar të dy lojtarët. Mesfushori francez Diarra ka luajtur këtë sezon me Portsmuthin në Kupën UEFA, ndërkohë që holandezi Huntelar ka luajtur me Ajaklsin, po në të njëjtën kupë. Trajneri Ramos ka thënë këtë javë se nuk ishte në dijeni të kësaj rregulle. Reali do të luajë kundër Liverpulit më 25 shkurt dhe 10 mars 2009.