Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kryeministri thotë se çështja “Sollaku” tashmë është e Presidentit dhe Parlamentit.
"Prokurimi Durrës-Kukës, s’kishim e s’kemi kapacitetet e mjaftueshme administrative”
Ka një zotim Presidenti i Republikës dhe Parlamenti për këtë, kështu që çështja e Prokurorit të Përgjithshëm nuk është çështje e imja, është çështje e Presidentit dhe e Parlamentit.
“Qeveria ime, në atë kohë, por dhe sot, nuk kishte kapacitetet administrative të mjaftueshme të trajtonte atë prokurim. Dhe në këto kushte, në dijen time, ky është prokurimi i parë madhor, i bërë i tëri me një juri ndërkombëtare vlerësimi”.
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se, qeveria e drejtuar prej tij, nuk i ka pasur dhe nuk i ka kapacitet administrative të mjaftueshme për të trajtuar prokurimin e rrugës Durrës-Kukës. Në një intervistë dhënë dje për Zërin e Amerikës, kreu i ekzekutivit ka thënë se, ai ka qenë prokurimi më transparent në historinë e vendit tonë, ndërsa ka pranuar faktin se qeveria s’i ka pasur kapacitet administrative të mjaftueshme. “Në këto kushte, në dijen time, ky është prokurimi i parë madhor, i bërë i tëri me një juri ndërkombëtare vlerësimi”,- thotë ai. Kreu i mazhorancës ka deklaruar gatishmërinë e tij për të ngritur një komision hetimor parlamentar, për sqarimin e akuzave që i janë bërë qeverisë lidhur me rrugën Durrës-Kukës. Ai thotë se këtë çështje e kishte biseduar me bashkëpunëtorët e tij, por nuk u ndërmor si iniciativë, për shkak se u deklaruar si e tillë nga opozita. “Por ata nuk e ngritën komisionin. Kanë sjellë kërkesën, si është shpenzuar buxheti 2006-2007, pa përmendur as me një fjalë rrugën (Durrës-Kukës). Kjo nuk është serioze, sepse ai është projekti më i madh i Shqipërisë, dhe unë e konsideroj një fat të madh që po e ndërton ajo kompani”,- tha ai. Gjatë intervistës, Kryeministri ka folur dhe për reformën në drejtësi. Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm, nuk është çështje e imja, thotë Berisha, ndërsa shton se, ajo është një çështje e Presidentit dhe e Parlamentit, dhe se ka një zotim të Presidentit Bamir Topi për të. Ndërkaq, duke iu referuar arrestimeve të disa zyrtarëve dhe biznesmenëve për tenderat e rrugëve, dy nga të cilët ishin të propozuara nga PDK-ja, Kryeministri thotë se ky rast nuk është i shkëputur, por është një strategji për zbatimin e ligjit ndaj kujtdo.
Arrestimet e disa zyrtarëve dhe biznesmenëve për korrupsion me tenderat e rrugëve është një episod i shkëputur, apo është pjesë e një nisme më të gjerë të qeverisë suaj për të goditur korrupsionin?
Absolutisht nuk është i shkëputur, por është një strategji për zbatimin e ligjit ndaj kujtdo, është një aspekt i rëndësishëm dhe jo i vetëm i luftës kundër korrupsionit, është një përpjekje e vazhdueshme dhe do të jetë një përpjekje e vazhdueshme gjersa Shqipëria të zbresë tek vendet me korrupsion të ulët. Kështu që, në këtë proces nuk ka dyshim që veprimi i ligjit është kondicion sinekuanon për funksionimin e kësaj lufte, por është njëri aspekt i kësaj lufte.
Zoti Berisha, a keni plane për të përmirësuar marrëdhëniet tuaja me Prokurorinë dhe kryesisht me zyrtarët e saj kryesorë?
Marrëdhëniet tona me seksionin e krimeve të rënda kanë qenë të shkëlqyera dhe seksioni i Krimeve të Rënda në Shqipëri, qoftë si Gjykatë, qoftë si Prokurori, për mua, ka një funksionim të respektueshëm, ka një funksionim, i cili i ka dëshmuar shqiptarëve dhe botës se drejtësia shqiptare mund të funksionojë konform ligjit. Janë segmente të caktuar, të cilat do të zgjidhen nëpërmjet reformës. Unë jam optimist. Dy vjet më parë, jo të paktë ishin ata që më thoshin “me kë do ta luftosh ti krimin e organizuar, pse zotohesh, çfarë do t’i bësh atij...”. Dhe unë kisha një përgjigje: “Me këta oficerë dhe inspektorë policie që janë sot”. Dhe unë ua faktova shqiptarëve këtë plotësisht. Ata kanë dëshmuar shkallën më të lartë të profesionalizmit, të kurajës, të integritetit.
Por, çfarë duhet pritur në marrëdhëniet tuaja me Prokurorin e Përgjithshëm, kur ju keni konsumuar thuajse gjysmën e mandatit dhe marrëdhëniet me të janë ende të vështira, madje jo ekzistuese?
Ka një zotim Presidenti i Republikës dhe Parlamenti për këtë, kështu që çështja e Prokurorit të Përgjithshëm, nuk është çështje e imja, është çështje e Presidentit dhe e Parlamentit.
Zoti Berisha, a keni qenë ju një qeveri transparente sa duhet në prokurimet për një projekt kaq të rëndësishëm dhe kaq strategjik për Shqipërinë, siç është rruga Durrës-Kukës. A jepni ju garanci se nuk janë bërë shkelje në një investim të tillë strategjik?
Mund t’iu them se si prokurim, është prokurimi më transparent në historinë e atij vendi. Pse... të jem i hapur për faktin e thjeshtë se qeveria ime, në atë kohë, por dhe sot, nuk kishte kapacitetet administrative të mjaftueshme të trajtonte atë prokurim. Dhe në këto kushte, në dijen time, ky është prokurimi i parë madhor, i bërë i tëri me një juri ndërkombëtare vlerësimi. Meqenëse “Bechtel” punon mbi bazën e një kontrate çmim për njësi vëllimi, kushdo që të ketë dyshimin më të vogël, se “Bechtel” po rrit çmimin për njësi vëllimi, jam i bindur se gjiganti amerikan është totalisht i hapur për çdo lupë, çdo kontroll.
Pse nuk kërkoni ju vetë i pari ngritjen e një komisioni parlamentar për sqarimin e këtyre akuzave?
Jam absolutisht i gatshëm, pa asnjë diskutim. Shiko çfarë ndodhi! E kisha biseduar edhe me bashkëpunëtorët e mi, që të ngremë një komision. Epo meqenëse thanë që do të ngremë komisionin, mos t’ua marr iniciativën. Por ata nuk e ngritën komisionin. Kanë sjellë kërkesën si është shpenzuar buxheti 2006-2007, pa përmendur as me një fjalë rrugën (Durrës-Kukës). Kjo nuk është serioze, sepse ai është projekti më i madh i Shqipërisë, dhe unë e konsideroj një fat të madh që po e ndërton ajo kompani.
Marrë nga Zëri i Amerikës
Takimet e Kryeministrit
Anëtarësimi në NATO, Berisha vazhdon të marrë mbështetje
NJU JORK- Gjatë qëndrimit të djeshëm në Nju Jork, kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një sërë takimesh me kryetarë shtetesh dhe homologë të tij nëpër botë, ku çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka qenë një ndër më kryesoret që është diskutuar, ku nuk ka munguar shprehja e mbështetjes për këtë objektiv të vendit tonë. Kështu, gjatë takimit me Presidentin e Bosnje- Hercegovinës, Zeljko Comsiç,dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim, se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina kanë interesa të përbashkëta në rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Presidenti Comsiç vlerësoi reformat dhe hapat e realizuar nga Shqipëria në procesin e integrimit dhe kërkoi që Shqipëria t’i mundësojë Bosnje-Hercegovinës, shkëmbim eksperience në këtë drejtim. Ndërkohë, gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Sturanoviç, ky i fundit u shpreh se mbështet plotësisht përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe vlerëson hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në rrugën e reformave. Një tjetër takim kryeministri Berisha e zhvilloi me Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç. Të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim, se integrimi në NATO është një synim i përbashkët dhe në këtë drejtim të dy vendet kanë bërë hapa të mëdhenj përpara. Por, mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO e ka dhënë edhe kryeministri Norvegjez, Jens Stoltenberg. Gjatë takimit që zhvilloi me të, Berisha e njohume përpjekjet dhe arritjet e qeverisë shqiptare në rrugën drejt reformave, ndërsa homologu norvegjez e përgëzoi atë dhe shprehu mbështetjen e tij për realizimin e reformave te thella, si kusht themelor për integrimin në NATO dhe në BE. “Mbështetja e Norvegjisë do të jetë e plotë dhe e gjithanshme, për sa kohë Shqipëria ecën në rrugën e reformave”,- u shpreh Stoltenberg.