Shtune, 04 Korrik 2009 23:08:22

Lexoni versionin Print

Berisha mashtroi për Gërdecin

Publikohen të gjitha detajet e kontratave që sollën procesin e çmontimit të predhave me më shumë se 300 viktima

Ened Janina
Marte, 18 Mars 2008 09:19:00



Publikohen të gjitha detajet e kontratave që sollën procesin e çmontimit të predhave me më shumë se 300 viktima

 

MEICO dhe SAC lidhin marrëveshjen por ajo shkelet haptazi duke shkaktuar edhe tragjedinë

 

TIRANË- Kontratat e tragjedisë së Gërdecit janë dëshmia më e fundit e abuzimeve të kryera në procesin e çmontimit të municioneve të rënda ushtarake. Në dukje dy kontrata tepër të rregullta por që asnjë prej tyre nuk është zbatuar në praktikë. Ministria e Mbrojtjes ka bërë dje publikimin e tyre pas tre ditësh zvarritje por ato kanë zbuluar edhe abuzimet e shumta që kanë ndodhur. Duke nisur nga mënyra e çmontimit të predhave e deri tek siguria tepër e ulët, janë vetëm disa arsyet e tragjedisë që ka shkaktuar deri tani 16 të vdekur dhe 300 të plagosur. Publikimi më në fund i kontratave ka "nxjerrë zbuluar" edhe kryeministrin Berisha, i cili është fshehur për ditë me radhë pas faktit që çmontimi i predhave bëhej nga një kompani amerikane. Në kontratë është përcaktuar tepër qartë se firma amerikane do të marrë një nënkontraktor për të kryer punën e saj. Për këtë nënkontraktor qeveria shqiptare nuk ka asnjë të dhënë, nuk ka asnjë kontratë të lidhur dhe nuk di se çfarë personash punonin në këtë proces të rrezikshëm.

Dy kontrata me vlerë rreth 2.2 milionë dollarë amerikanë dhe një listë e gjatë shkeljesh që i shoqëron. Kontratat janë firmosur nga drejtori i MEICO, Ylli Pinari dhe personi i deleguar i Southern Ammunitions Company, Patrick. C. Henry III. Kontrata e parë është lidhur më gjashtë qershor të vitit të kaluar dhe ka si qëllim shitjen e municioneve që do të kalojnë përmes procesit të demilitarizimit. Kontrata është për shitjen e 50 milionë e 100 mijë fishekë nga kalibri 12.7 mm deri tek ai 54 mm dhe vlera totale e saj është 1.611 milionë dollarë amerikanë. Ndërkohë kontrata e dytë është lidhur më 28 dhjetor 2007. Ajo ka një vlerë prej 582 mijë dollarësh amerikanë dhe parashikon demolimin e predhave me kalibër nga 20 deri 152 mm.

Kontratat parashikojnë ngritjen e fabrikës së çmontimit në Gërdec të Vorës dhe një pjesë e territorit do të jetë nën kontrollin e forcave të përbashkëta. Ndërkohë i gjithë territori do të jetë në përdorim të firmës amerikane deri në përfundim të kontratës. Kjo pjesë e kontratës nuk është zbatuar asnjë herë pasi në vendin ku bëhej çmontimi nuk ka pasur asnjë roje ushtarake. Ka qenë një kompani private sigurie e paguar nga SAC dhe askush tjetër nuk ka pasur dijeni se çfarë ndodhte aty. Më pas në kontratë saktësohet se MEICO duhet të marrë përsipër transportin e municioneve deri në fabrikën që ndodhet në Gërdec. Më pas municionet merren në dorëzim nga firma amerikane dhe ajo mban përgjegjësi të plotë për to. Të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me demolimin, transportimin e armatimeve si dhe kostot e tjera si qiraja e tokës e faturat e ujit dhe energjisë elektrike merren përsipër nga SAC.

Municionet luftarake duhet të dorëzohen në Gërdec çdo ditë nga MEICO. Dorëzimi i tyre bëhet në prani të dëshmitarëve, të cilët verifikojnë edhe dokumentacionin përkatës. Një tjetër detyrë e MEICO është sigurimi i lejeve të punës për firmën amerikane si dhe punëtorët e saj. Por përveç dorëzimit të municionit çdo ditë nga ana e MEICO, SAC duhet të kujdeset që çdo ditë të hiqet baruti dhe tritoli. Predhat e çmontuara përmbajnë hekurishte për skrap, bronc, barut dhe tritol. Këto dy të fundit janë elementë tepër të rrezikshëm dhe për pasojë duhet të largohen çdo 24 orë nga vendi i demolimit. Sipas kontratës, eksplozivët duhet të dërgohen në magazina të veçanta, ruajtja e të cilave do të bëhet nën masa tepër të rrepta.

Kushtet e sigurisë

Një pikë e kontratave është ajo ku shpjegohen masat "tepër të larta të sigurisë". "Demolimi i municionit do të bëhet në kushte tepër të larta sigurie, sipas specifikimeve teknike që kërkon ky proces",- thuhet në kontratë. Por në realitet masat e larta të sigurisë përfunduan në një territor të rrethuar me llamarina, brenda të cilit punonin disa fshatarë të gjorë që nuk kishin asnjë dijeni për rrezikshmërinë e predhave luftarake. Këta janë edhe viktimat e tragjedisë. Sigurisht që dikush, ose më saktë shumë zyrtarë shtetërorë, duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë fakt.

Specialistët amerikanë

Kontrata parashikon edhe ndërtimin dhe instalimin e të paktën dhjetë vijave demilitarizimi dhe sigurimin e nga katër deri në dhjetë teknikëve që kanë si detyrë instalimin, supervizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve. Në realitet punëtorët panë vetëm një herë ca "specialistë" që u dhanë këshillën e vlefshme: Mos pini duhan mbi barut!.

Baruti dhe tritoli

"Baruti dhe eksplozivë të tjerë nga çmontimi duhet të transportohen jashtë qendrës së çmontimit drejt magazinës së barutit ose eksplozivit sipas të gjitha rregullave teknikë të këtij procesi. Transportimi i barutit duhet të kryhet jo më pas se një herë në 24-orë",- thuhet në kontratat e nënshkruara nga MEICO dhe SAC. Por punëtorët e mbijetuar të tragjedisë kanë deklaruar se baruti e tritoli që shpërthyen mesditën e së shtunës kishin ditë që ndodheshin aty, pa ndonjë magazinim të veçantë.

Kompania amerikane mohon kontratën e dytë. Dyshohet se ajo është falsifikuar gjatë ditëve të fundit

SAC: Nuk kemi lidhje me demolimin e predhave

Përfaqësuesit e firmës amerikane "Southern Ammunition Company", thanë dje se ata nuk kanë qenë të përfshirë në operacionin e fundit në fshatin Gërdec për çmontimin e municioneve. Të kontaktuar nga Zëri i Amerikës, përfaqësues të kësaj kompanie me qendër në Karolinën e Jugut, shpjeguan se kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë ishte lidhur në prill të vitit 2007, për të çmontuar municione të kalibrit të vogël dhe kishte përfunduar në dhjetor të 2007. Kontrata, sipas tyre, përfshinte vetëm dhënien e pajisjeve dhe jo transport, ose personel, dhe vetëm për çaktivizimin e municionit të kalibrit të vogël. Zyrtarët e firmës thonë se aktiviteti i tyre është zhvilluar në fshatin Gërdec, aty ku ndodhi shpërthimi i të shtunës. Sipas zyrtarëve të kësaj firme, një operacion i dytë, filloi në janar të vitit 2008, për çmontimin e municioneve me kalibër të madh, por ky operacion nuk përfshinte kompaninë Southern Ammunition. Kompania, thonë zyrtarët e saj, nuk ofroi njerëz, teknologji apo pajisje për operacionin e dytë. Sipas zëdhënësit të saj, kjo firmë ka punuar me kompaninë lokale shqiptare, por vetëm për municionet me kalibër të vogël dhe jo për ato me kalibër të madh që filluan të çmontohen pas janarit. Ndërkohë kryeministri Berisha është justifikuar dje duke thënë se me këtë çështje është marrë vetëm Ministria e Mbrojtjes. "Kompania ka paraqitur një kërkesë me shkrim dhe se disponojmë kërkesën me shkrim të kompanisë për një kontratë të re për çmontim municionesh. Përveç kësaj kërkesë, Ministria e Mbrojtjes disponon dokumentin apo kontratën e firmosur, siç thotë drejtoria përkatëse e marrëdhënie tregtare, me kompaninë në fjalë. Të themi tani që këto të jenë falsifikuar të tëra unë më duket një gjë jashtë të gjitha... megjithatë, ka një hetim nga prokuroria e vendit, e cila po punon dhe do të punojë për zbardhjen e plotë të të gjitha përgjegjësive. Ministria e Mbrojtjes ka afruar dhe do të ofrojë çdo dokument që nevojitet, dhe jo vetëm prokurorisë, por edhe medieve",- tha kryeministri Berisha. Ai ia ka hedhur të gjitha fajet Ministrisë së Mbrojtjes dhe firmës MEICO. "Nuk kam pasur asnjë dijeni për nënkontraktimin dhe kryeministri nuk ka dijeni për asnjë nga kontraktorët. Nëse i referohemi ligjit të ri të prokurimit publik, ligj i ri i prokurimeve publike i ka hequr çdo të drejtë Këshillit të Ministrave që të sillet si autoritet kontraktues kolektiv. Në asnjë rast kryeministri dhe KM nuk ka dijeni për nënkontraktorët, ka një rrethanë në të cilën kryeministri mund të ketë dijeni dhe kjo është kur vijnë ankesat, pasi atëherë kemi një departament të antikorrupsionit, kryeministri nuk ka dijeni për firmën kontraktuese",- tha Berisha.

Dyshimi për falsifikimin e kontratës së dytë

Pikërisht kjo kontratë e dytë e lidhur me kompanisë shqiptare MEICO dhe "Southern Ammunition Company Inc"është tepër e dyshimtë. Ajo është firmosur nga Ylli Pinari dhe Patrick. C. Henry III, ashtu si dhe kontrata e parë. Por përveç faktit që kjo kontratë është mohuar nga pala amerikane, edhe firmat që ndodhen në të janë disi të dyshimta. Firma e Ylli Pinarit është e njëjtë në të dyja faqet ndërsa ajo e Patrick. C. Henry III është krejtësisht e ndryshme. Edhe me sy të lirë mund të dallohet shumë lehtë ndryshimi mes dy firmave. E nënshkruar më 28 dhjetor të vitit të kaluar, kjo kontratë nuk tregon vendin se ku është bërë firmosja.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML