Kryeministri Berisha dhe kryesocialisti Rama shprehen dakord në parim për nismën
TIRANË- Niveli i lartë i korrupsionit i konstatuar ditët e fundit edhe nga raporti i IDRA-s dhe USAID-it dhe këmbëngulja e SHBA-ve duket se ka bindur dy forcat kryesore politike që të përafrojnë qëndrimin e tyre lidhur me domosdoshmërinë e kufizimit të imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Një përqasje e tillë u vu re pikërisht gjatë konferencës së organizuar nga Kuvendi në kuadër të dy vjetorit të nënshkrimit të MSA-së midis BE-së dhe Shqipërisë, ku krerët e dy grupimeve kryesore politike në vend kryeministri Sali Berisha dhe lideri i opozitës Edi Rama kanë përcjellë mesazhe mirëkuptimi për këtë çështje. Kështu, kryeministri Berisha duke folur lidhur me gjendjen e korrupsionit në vend, ka vlerësuar se një hap i duhur në uljen e tij do të jetë natyrisht kufizimi i imunitetit edhe për deputetët. Sipas tij një deputet apo zyrtar i lartë duhet të jetë i mbrojtur vetëm për akuzat politike, por jo ndaj akuzave të tjera që e imlikojnë atë për favorizim apo dhe pjesëmarrje direkte në afera korruptive. “Jam i bindur se, po këta faktorë, do ta shohin së bashku edhe heqjen e imunitetit, i cili nuk mund të jetë problem i 84 votave, nuk mund të jetë objekt i njëanshëm. Ai duhet të jetë çështje e një konsensusi të vërtetë, e një vullneti.
Për çështje politike do të ketë gjithnjë imunitet, heqja dorë nga imuniteti për çështje jopolitike përbën një zhvillim shumë të madh edhe për drejtësinë shqiptare, e cila nuk do të përballet me dhunën e imunitetit në ushtrimit e detyrës dhe funksionit, e cila do të bëhet më e pavarur në funksionimin e saj”, - u shpreh Berisha. Ndërkohë që ndaj kësaj çështje ka reaguar edhe kryesocialisti Edi Rama, i cili për herë të parë ka pranuar se ka ardhur koha që deputetët të jenë pa imunitet. Për këtë qëllim ai ka ofruar dhe bashkëpunimin e opozitës për kufizimin e kësaj mbrojtje me ligj. “Dua të them se ne jemi të hapur ta diskutojmë çështjen e kufizimit të imunitetit pasi ne gjykojmë se sot nuk kemi kushtet e gjuetisë së shtrigave të deri një viti më parë”, - u shpreh kryesocialisti Edi Rama.