Presidenti i Republikës zhvilloi dje një takim me Astrit Patozin dhe Ilir Banon
TIRANË- Takimi i paralajmëruar mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe të dërguarve nga kryeministri Berisha, Astrit Patozi dhe Ilir Bano, nuk ka gjetur asnjë zgjidhje. Edhe pse kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi dhe nënkryetari Ilir Bano kanë zhvilluar një takim prej dy orësh me Presidentin, zgjidhja nuk ka qenë rezultati i takimit. Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi ka qenë i rezervuar dje rreth takimit të zhvilluar, duke mos lënë shumë interpretime lidhur me atë ç’ka mund të ishte arritur. Duke e cilësuar takimin të hapur e miqësor, por në të njëjtën kohë edhe institucional, Patozi është shprehur se duhet një dialog për një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë të problemeve. Megjithatë, kryetari i grupit parlamentar nuk ka argumentuar më gjatë se për çfarë zgjidhjesh bëhet fjalë, duke mos bërë publike asgjë konkrete nga takimi i zhvilluar.
Por burime nga PD thanë dje se, gjatë takimit nuk është arritur ende një rezultat pozitiv dhe se palët qëndrojnë në argumentet e tyre. Presidenti Topi pret tashmë që Kuvendi të japë përgjigjen e tij për dekretet e miratuara lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, një të drejtë ligjore që në fakt ia jep Kushtetuta, ndërsa demokratët duket se nuk janë dakord me dy prej dekreteve, për shkak të vendimeve që ata kanë dhënë kundrejt të përndjekurve. Megjithatë, përballë këtyre përplasjeve, ku të paktën PD nuk shprehet qartë për qëndrimin e saj, në mbrojtje të dekreteve të kreut të shtetit ka dalë pikërisht Shoqata e Integrimit të të Përndjekurve Politikë. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj shoqate, Besim Ndregjoni, presidenti Topi ka marrë në konsideratë propozimin e tyre. Ndaj dhe Ndregjoni i ka bërë thirrje dje mazhorancës që të votojë pro dekretit për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Medi Bici.