Muaji qershor përkon me 12 tryezat rajonale të bujqësisë, ku do të përvijohet edhe programi i PS-së për fshatin
PUKË- Rrugëtimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama, për muajin qershor është hapur me një takim në qytetin e Pukës, duke rikthyer në fokus fshatin. Rama ka shprehur bindjen se vetëm duke besuar tek vetja, qytetarët e këtij vendi do të bëjnë ndryshimin e madh. Gjatë takimit të zhvilluar me qytetarët e Pukës, ndër të tjera, kryesocialisti ka shpjeguar se Partia Socialiste është një instrument që çdokush mund dhe duhet ta përdorë për të mbrojtur interesat e tij. “Nuk dua thjesht që ju të besoni te unë, por të besoni tek vetja juaj. Për sa kohë që ju do të besoni tek vetja juaj, kjo do të mjaftojë për të realizuar gjërat që dëshironi”,- tha Rama. Nga Puka, kryetari i PS-së ka udhëtuar drejt fshatit Qelëz, ku ka bashkëbiseduar me banorë të këtij fshati. Banorët i kanë përcjellë kryetarit socialist, shqetësimet për çmimet e larta të farërave, karburanteve, për rrugë e energji të munguar, si dhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë si mielli, vaji e sheqeri etj. “Ajo që duhet të ndryshojë, është bashkimi juaj këtu. Se kjo politikë, nuk sjell në pushtet popullin që voton, por ca njerëz, ku ulen nga kali ca, dhe hipin ca të tjerë. Pra, çfarë ndryshoi këtu? Ne duhet të zgjidhim disa probleme, që kanë 17 vjet aty dhe nuk po zgjidhen.
U bënë 17 vjet që nuk ka kooperativa në Shqipëri. Kjo punë dihet, por tani si duhet ta bëjmë? Në dorë të Zotit nuk duhet ta lemë. Atëherë, për të realizuar këtë duhet një kapërcim i madh, që të fillojë te secili nga ju, dhe nuk fillohet nga unë. Duhet kapërcyer ndarja mes socialistëve apo demokratëve, mes të majtëve dhe të djathtëve. Ne duhet të kapërcejmë pa paragjykime, se gjyshi im ka qenë partizan, kurse gjyshi yt i pushkatuar. Pra, ne duhet të jemi kundërshtarë? Pse, dhe për çfarë arsye? Për arsye të historisë? Jo! Ne duhet të jemi bashkë për arsye të bukës së përditshme, familjes tonë dhe fëmijëve tanë, apo edhe arsimit, shëndetësisë, rrugëve etj.”, - tha ndër të tjera Rama, duke shtuar se duhet rikthyer besimi tek puna e fshatit. Muaji qershor përkon dhe me 12 tryezat rajonale të bujqësisë, në të cilat do të përvijohet dhe programi i ri i socialistëve për fshatin. Rrugëzgjidhjet për fenomenet e punës në bujqësi, nxitja dhe kthimi i fermerëve në punimin e tokave bujqësore apo shtimi i punës së blegtorëve, janë disa nga pikat ku do të përqendrohet i gjithë debati publik.