Kryetari i PS-së bën thirrje për një politikë të re në takimin me banorë të Koplikut dhe komunës Rrethinë
KOPLIK- Krahas Konferencës Rajonale për Bujqësinë, që u mbajt në qytetin e Shkodrës, Kryetari i PS-së, Edi Rama ka bashkëbiseduar edhe me banorë të Koplikut dhe komunës Rrethinë. Në këto zona, Rama ka deklaruar se varfëria, papunësia, korrupsioni janë ulur këmbëkryq mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. “Këto janë fenomene që i jetoni çdo ditë në shtëpitë tuaja, ku tryeza është më e varfër. Jetoni me shqetësimet për fëmijët tuaj, që sot nuk kanë mundësi të edukohen në shkollë. Gjithashtu, të moshuarit nuk kanë mundësi të kurohen siç duhet në qendrat shëndetësore. Kemi një pamundësi për të jetuar me punë të ndershme, ashtu siç do duhet të ishte jeta e burrave dhe grave që punojnë, sakrifikojnë dhe që ndershmërisht fitojnë bukën e gojës. Por, pa dyshim, kjo nuk është një jetë që meriton të quhet jetë, por është mbijetesë”,- tha Rama. Ndërsa në takimin me fermerët e Malësisë së Mbishkodrës, në komunën Rrethinë, kryesocialisti theksoi se ndryshimi i pritur prej shumë vitesh mund të vijë vetëm përmes një politike të re për fshatin.
“Sado fjalë që të thuash këtu, nuk arrin të shprehësh atë që ju jetoni përditë. Sado fjalë të thuash, nuk arrin dot të përshkruaj jetesën tuaj të përditshme, me papunësinë, me varfërinë, me pamundësinë për të pasur një jetë të qetë dhe normale në familje, me çmimet që rriten përditë dhe tokat që vaditen, me arsimin e fëmijëve, që është vështirësuar pa masë dhe me kujdesin për të moshuarit, që është bërë problem i madh. Sado fjalë të thuash, ato nuk e përshkruajnë dot jetën reale të shqiptarëve, sidomos atyre që jetojnë në fshat, në periferi, në qendra të vogla urbane, ku problemet shkojnë duke u rënduar dhe zgjidhjet e tyre shkojnë duke u përkeqësuar”,- tha Rama.
n.p