PS kërkon futjen në procedurë votimi të dekreteve dhe miratimin e tyre me votim të fshehtë. Sot vendos Kuvendi
TIRANË- Mbledhja e dy ditëve më parë në komisionin e Ligjeve tregoi qartazi përpjekjen e mazhorancës, për të kaluar sot në Kuvend vetëm raportin për procedurën e ndjekur nga Presidenti për përzgjedhjen e kandidaturave, dhe jo futjen e dekreteve për votim. Një procedurë e tillë, në fakt nuk do të nxjerrë asgjë në dritë, pasi dekretet e Presidentit do të mbeten sërish të bllokuara, pa ditur më pas fatin e tyre, pasi një gjë e tillë nuk është e parashikuar as në ligj. Pikërisht për këtë arsye, dje kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, ka deklaruar se PS do të kërkojë futjen jo vetëm në procedurë votimi të dekreteve, por edhe miratimin e tyre me votim të fshehtë. “Në të kundërt do të gjendemi në një udhëkryq me një Gjykatë të Lartë të bllokuar e me një President të Republikës me autoritet Kushtetues të cenuar. Me këtë akt njolloset Kushtetuta, Kuvendi dhe fytyra e Shqipërisë në sytë e botës demokratike”,- tha Leskaj. Ajo deklaroi se PS e konsideron qëndrimin e fundit të mazhorancës ndaj dekreteve të Presidentit të Republikës, si një kërcënim të hapur për pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe ndarjen e pushteteve, si një kërcënim për demokracinë dhe shtetin ligjor.
“Ky qëndrim është një shfaqje e re e konfliktit të vjetër të kryeministrit Berisha dhe pasuesve të tij, qëndrim që ka ndodhur me çdo pushtet të pavarur në Shqipëri. Grupi Parlamentar i PS, vlerëson se kjo është një përpjekje për të kontrolluar Gjykatën e Lartë, që po bëhet duke përdorur pushtetin legjislativ kundër pushtetit Gjyqësor duke vënë në konflikt artificialisht institucionet. Këto pushtete janë të ndara në Kushtetutë siç janë të ndara dhe rolet mes Presidentit dhe Kuvendit në emërimet e gjyqësorit”, - tha ajo. Leskaj sqaroi se Kuvendi emëron ose jo dekretet e Presidentit të Republikës. “Por nuk mund të refuzojë dekretet duke dhunuar rendin kushtetues dhe bllokuar Gjykatën e Lartë me mjete politike arkaike. Gjykata e lartë sot ka 7 vende bosh, për pasojë vendimmarrja e saj është e bllokuar”, -shtoi ajo. Kryetarja e grupit parlamentar sqaroi se opozita do të votojë pro dekreteve të Presidentit, duke insistuar në të njëjtën kohë që dekretet të futen sipas procedurave të parashikuara në rregulloren e Kuvendit. “Nuk mund të futet në Kuvend raport- komisioni. Në Kuvend duhet të futen dekretet e presidentit për t’u votuar. Mazhoranca në rast se do t’i rrëzojë, le t’i rrëzojë në Kuvend. Ne do të votojmë natyrisht pro dekreteve të Presidentit, pro Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, - tha ajo.