Në një votim të fshehtë për dekretet, mazhoranca do të kthehej në minorancë
TIRANË- Fati i dekreteve të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për emërimin e 5 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë do të varet shumë nga rruga që do të ndiqet sot në Kuvend. Mazhoranca kërkon të shmangë votimin e dekreteve, duke futur në votim raportin e komisionit të ligjeve miratuar dy ditë më parë me 9 votat e deputetëve të djathtë. Por tjetër panoramë do të ofrohej në Kuvend në rast se do të pranohej varianti i opozitës. Pra nëse dekretet e Presidentit do t’i nënshtrohen votimit të fshehtë, ekzistojnë te gjitha gjasat që emrat e 5 gjyqtarëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë të marrin votat e mjaftueshme (70+1). Në rast se llogarisim votat, opozita ka 53 kartonë të kuq. Po ashtu pro dekreteve janë edhe 8 votat e demokristianëve dhe 3 deputetët e PBDNJ-së. Atëherë peshorja do të varej vetëm nga disa vota pro jo vetëm të deputetëve të PD-së që njihen si mbështetës të Presidentit të Republikës, por edhe të ndonjë partie tjetër aleate, gjë që mazhorancën do e bënte minorancë. Ndërsa në një votim të hapur gjithçka ndryshon.Kjo sepse grupi parlamentar i PD-së ka marrë një vendim politik për të kundërshtuar në thelb procedurat e ndjekura nga Presidenti i Republikës, duke e mbështetur argumentin e tyre në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim trajton marrëdhëniet e Presidentit me Kuvendin dhe rolin e secilit në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Për pasojë në rast se dekretet e Presidentit të Republikës do t’i nënshtroheshin një votimi të hapur, deputetët do të ishin të detyruar që të votonin politikisht pro. Në të kundërt, “betejën” politike mund ta fitonte kreu i shtetit, gjë për të cilën duket se janë të vetëdijshëm jo vetëm përfaqësuesit e opozitës, por edhe ata të mazhorancës.