Topalli deklaroi dje se votimi i imunitetit për Mediun do të jetë i fundit, duke shpresuar në miratimin e ligjit
Topalli: “Heqja e imunitetit nuk ka lidhje me materialet shtesë të dosjes hetimore”
SHKODËR- Nga Velipoja, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka deklaruar se imuniteti i Mediut do të jetë i fundit që do të shqyrtohet në Kuvend, duke shpresuar që pas kësaj, deputetët të miratojnë ligjin për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Për të disatën herë, Kryetarja e Kuvendit, Topalli ka theksuar se sot do të hiqet imuniteti i Fatmir Mediut, pavarësisht dokumenteve që kanë ardhur nga Prokuroria. Edhe pse ishte vete kryetarja e Kuvendit që kërkoi dokumente shtesë për rastin e Mediut, dje ajo është shprehur për mediat se këto dokumente nuk kanë lidhje me heqjen e imunitetit të deputetit republikan. “Heqja e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, që pritet të ndodhë në seancën parlamentare të së hënës, nuk ka lidhje me materialet shtesë të dosjes hetimore që Prokuroria i ka vënë në dispozicion deputetëve”,- tha dje Topalli teksa ishte e pranishme në ceremoninë e zhvilluar me rastin e hapjes së sezonit të ri turistik në plazhin e Velipojës. “Ky është një vendim i marrë prej kohësh, për çdo kërkesë që do të vijë për heqje imuniteti.
Është një qëndrim i vetë ish-ministrit Mediu dhe mazhorancës. Besoj që kjo do të jetë hera e fundit që do votohet për heqje imuniteti, duke uruar që të miratohet ligji për kufizimin e imunitetit, dhe kështu, asnjë deputet nuk do të jetë i mbrojtur nga një mburojë për të cilën nuk ka nevojë. Ai duhet të jetë i lirë, transparent, si gjithë qytetarët e tjerë. Ky ligj, pra, ai i kufizimit të imunitetit, është zgjidhja më e mirë, është një standard, një kërkesë që duhet realizuar. Ky ligj,ka tre vite që pret të miratohet. Nuk kanë dashur ta miratojnë, madje më kanë akuzuar mua personalisht si shkelëse e Kushtetutës. Tani jemi në një fazë tjetër. Pas marrjes së ftesës për në NATO,standardi jonë duhet të jetë më i lartë dhe uroj që dhe opozita të jetë për miratimin e këtij ligji”,- tha Topalli. Edhe pse organi i akuzës e depozitoi kërkesën pranë Kuvendit në fund të muajit Prill për heqjen e imunitetit të Mediut, vetëm sot Kuvendi do të vendosë, duke i hapur rrugë shqyrtimit të kësaj çështjeje në rrugë ligjore. Fillimisht mazhoranca hezitoi jo pak për këtë çështje, por pas këmbënguljes së opozitës dhe mesazheve që erdhën ngandërkombëtarët, PD vendosi t’i hapë rrugë kësaj çështjeje, por duke mos pranuar në thelb asnjë prej kërkesave të Prokurorisë. Edhe në raportin e përgatitur nga ana e mazhorancës për imunitetin e Mediut, thuhet ndër të tjera se, “Prokuroria, me dokumentacionin e vënë në dispozicion, nuk arrin të vërtetojë përpara Këshillit akuzën se Ministri i Mbrojtjes ka ndjekur politika dhe ka nxjerrë urdhra që favorizojnë përfitime të pandershme për firma apo kompani të ndryshme private”. Ndërkohë, nga ana e saj, opozita ka deklaruar në konkluzionet e saj se, “ngjarja e ndodhur në Gërdec, konsiderohet mjaft e rëndë për shkak edhe të përfshirjes dhe autorizimit nga struktura të shtetit”.