Presidenti i Republikës tha se politika nuk mund ta bëjë vlerësimin profesional më mirë se juristët
TIRANË- Integriteti moral dhe profesionalizmi do të jenë kriteret bazë mbi të cilën do të zhvillohet procesi i përzgjedhjes së kandidaturave të reja për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ky ka qenë një nder mesazhet e përcjella dje nga kreu i shtetit, Bamir Topi, gjatë mbledhjes së konstituimit të grupit të punës me ekspertë të Jurisprudencës që do të ofrojë asistencë juridike në përzgjedhjen e kandidatëve për vendet vakant në Gjykatën e Lartë. Duke vlerësuar rolin e kësaj gjykate, si të një rëndësie vendimtare për gjithë piramidën e sistemit gjyqësor, Presidenti i Republikës ka konsideruar se plotësimi i vendeve vakante përbën një emergjencë e cila duhet zgjidhur përmes një procesi përzgjedhës tepër profesional, larg ndikimeve politike, brenda dhjetë ditëve të ardhshme. “Vendimet e kësaj gjykate, janë përcaktuese në perceptimin e dhënies së drejtësisë. Për këtë arsye madhore, kompromiset në përzgjedhjen e gjyqtarëve të lartë ecin vetëm në një drejtim: në atë të garantimit të kapaciteteve të larta profesionale. Përveç kritereve ligjore, janë dhe disa vlerësime profesionale dhe unë mendoj se më mirë se profesionistët, nuk mendoj se mund ta bëjë politika. Ajo nuk mund ta bëjë vlerësimin profesional më mirë seç e bëni ju”,- tha Topi në fjalën e tij hapëse të këtij takimi. Pavarësisht se ka shprehur predispozitën e tij maksimale për të respektuar parimin e ndarjes së pushteteve, si dhe të dëshmojë tolerancën presidenciale në trajtimin e kësaj çështjeje, kreu i shtetit nuk ka munguar që t’i kthehet edhe një herë debatit të rrëzimit të dekreteve të tij, duke i treguar edhe një herë Kuvendit se e drejta ekskluzive e propozimit të emrave për anëtarë të Gjykatës së Lartë është e tij.
“Për hir të së vërtetës, zhvillimet e kohëve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë, nuk kanë qenë në sinkron me pritshmërinë që me cilësinë e Presidentit të Republikës kam pasur në ushtrimin e kompetencave direkt të përcaktuara nga Ligji Themelor i Shtetit. E drejta e organit legjislativ për të dhënë ose jo pëlqimin në emërimin e gjyqtarëve të lartë nga Presidenti i Republikës, nuk do të thotë kurrsesi një vendim pa motiv, fenomen i cili u demonstrua në votimin e fundit në Kuvend”,- theksoi Topi. Megjithatë, pavarësisht këtij procesi të pasuksesshëm, ai ka ftuar Kuvendin në veçanti dhe politikën, në përgjithësi, që të marrë pjesë në procesin e përcaktimit të standardeve që do të përdoren për përzgjedhjen e kandidatëve të rinj. “Konsultimi që ne po hapim, do të na japë mundësinë të gjithëve, do t’i japë mundësinë çdo deputeti, çdo grupi parlamentar që të japë objeksionet e veta. Standardet janë përcaktuese në përzgjedhjet periodike të këtij niveli, madje më të rëndësishme se vetë emrat e kandidatëve për Gjykatë të Lartë, ndërkohë që këto të fundit, në Republikën e Shqipërisë, sipas Kushtetutës, kanë qenë dhe janë ekskluzivitet i Institucionit të Presidentit. Presidenti i Republikës i ka pasur dhe i ka të hapura dyert e komunikimit institucional dhe çdokush është i ftuar të sugjerojë përmirësimin e standardeve”,- tha më tej Topi. Në përfundim të kësaj analize ai ka prezantuar procedurat që do të ndiqen gjatë këtij procesi, duke ftuar të gjithë juristët që pretendojnë se plotësojnë cilësitë e duhura për të qenë anëtar të Gjykatës së Lartë që të aplikojnë pranë zyrës juridike të Presidencës, brenda ditës së martë. Më pas kandidaturat do ti ushtrohen një përzgjedhjeje nga grupi i punës i ngritur për këtë qëllim. Presidenti ka bërë të ditur se i gjithë ky proces do të përfundojë brenda dhjetë ditëve.
Kriteret
Brenda ditës së martë do të mbyllet procesi i aplikimeve për kandidatët
Brenda dhjetë ditëve do të përzgjidhen kandidatët
Kandidatët duhet të paraqesin:
• Kopje diplome dhe listë notash
• Kopje të titujve shkencorë
• Kopje të kualifikimeve pasuniversitare brenda e jashtë vendit
• Kopje të shkrimeve e botimeve në fushën e Drejtësisë
• Vërtetim nga Institucioni ku ka punuar se gjatë 8 viteve të fundit nuk ka marrë masë disiplinore
• Çdo lloj dokumenti tjetër që pasuron CV-në e kandidatit