Kryetari i PS-së, Edi Rama vijon turin e tij “Dialog me Shqipërinë”
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar domosdoshmërinë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve që kanë hall të përbashkët, papunësinë, pamundësitë ekonomike, mungesën prodhimit bujqësor apo një arsimim jo të denjë, gjatë takimit të zhvilluar me banorët e komunave Fushë-Bulqizë dhe Gur i Bardhë. Kreu i PS-së ka theksuar kapërcimin e mureve të paragjykimeve, të cilat i kanë ndarë shqiptarët në të majtë e në të djathtë. “Për sa kohë do ta lini fatin tuaj në dorën e 5 gjelave në Tiranë, mos prisni të bëjë vezë ndonjë pulë këtu. Prandaj, ju them, lërini flamurët e partive, se nuk ia keni parë dhe nuk do t’ua shihni ndonjëherë hajrin! Lërini flamurët e partive, lërini dasitë, jo ne socialistët, jo ju demokratët! Merruni të gjithë së bashku, me detyrën që kemi, t’ju krijojmë këtyre fëmijëve kushte më të mira, t’ju krijojmë mundësinë të rriten normalisht, që nesër të mos jetë të detyruar të marrin arratinë”,- tha Rama. “Dialogu me Shqipërinë” gjatë këtij muaji është përqendruar në problemet që ka sot fshati. Edhe në Fushë-Bulqizë, çmimet e larta të produkteve bujqësore dhe e të gjithë mekanikës që duhet për punën me tokën, kanë qenë në qendër të problematikave që kanë pohuar banorët e kësaj komune. Rama u shpreh se i gjithë ky dialog, shërben pikërisht për të identifikuar së bashku problemet dhe rrugëdaljet. Nga Fushë-Bulqiza, lideri socialist Edi Rama vizitoi një tjetër komunë, atë të Gurit të bardhë. “Ne duam t’i japim fshatit një shans të ri, duam t’ju japim qytetarëve shqiptarë që jetojnë në fshat, një mundësi të re. Duam t’ju japim të rinjve të fshatit një rrugë, që nuk është ajo e arratisë nga tokat e të parëve, por që është rruga e punës në tokat e të parëve. Duam t’i japim njëri-tjetrit një energji të re, përmes nxitjes së energjive të prodhimit në fshat”,- u shpreh Rama.