Beja propozon ndryshim të Rregullores. Kuvendi miraton futjen me procedurë të përshpejtuar. Opozita braktis seancën
TIRANË- Mazhoranca e djathtë ka nxituar që të parandalojë një krizë të dytë për çështjen e pesë dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nëpërmjet kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, Partia Demokratike ka propozuar dhe ka përfshirë me procedurë të përshpejtuar në programin e punimeve trejavore të Kuvendit, kërkesën e saj për ndryshimin e Rregullores së këtij institucioni, duke vendosur kështu që të dublojë tashmë edhe në mënyrë ligjore të drejtën e Kreut të Shtetit për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të institucioneve kushtetuese, në rastin konkret të Gjykatës së Lartë. Beja ka depozituar dje pasdite projektvendimin për ndryshimin e rregullores, nëpërmjet së cilës i jep organit legjislativ të drejtën që përpara se të japë pëlqimin e tij për kandidaturat e propozuara t’i marrë ato në analizë, duke kërkuar informacion nga organet e tjera të specializuara. Gjithashtu nëpërmjet këtij vendimi, Komisioni i Ligjeve ka të drejtën që përpara se të hartojë raportin për seancën plenare për çdo propozim, të zhvillojë seanca dëgjimore me vetë kandidatët, një praktikë kjo që kryhet edhe nga Presidenti gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidaturave.
Kështu, nëpërmjet këtij amendamenti propozohet që në nenin 111, të Rregullores së Kuvendit, të shtohet një pikë e veçantë, ku ndër të tjera thuhet se, “Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, Komisioni i Ligjeve bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe publike për të zgjeruar të dhënat për çdo kandidat, bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Përfundimet e nxjerra nga ky proces shqyrtimi i përcillen Kuvendit për të vendosur miratimin ose jo të çdo kandidature të propozuar”. Amendamenti në fjalë parashikon përcaktimin në nenin 111 të Rregullores, edhe të afateve konkrete dhe të qarta kohore për shqyrtimin dhe dhënien ose jo të pëlqimit për kandidaturat. Ndërkohë që futja e këtij amendamenti në programin e punës trejavor të Kuvendit me procedurë të përshpejtuar është kundërshtuar nga opozita, e cila e ka konsideruar këtë një praktikë jo të rregullt. Sipas kryetares së srupit socialist, Valentina Leskaj, përfshirja e këtij propozimi në axhendën e punës për tre javët e ardhshme të Kuvendit me procedurë të përshpejtuar jo vetëm që është antiligjore, por bie në kundërshtim edhe me frymën e bashkëpunimit me opozitën për realizimin e këtyre reformave.
Leskaj ka sjellë në vëmendje faktin se për këtë çështje, disa ditë më parë, dy deputetët socialistë, Arben Malaj dhe Besnik Dervishi kanë bërë një propozim të ngjashëm, i cili në këtë rast nuk merret parasysh. “Problemi juaj është përtej Rregullores se Kuvendit. Ju kërkoni që problemet e tuaja si mazhorancë me Presidentin t’i sillni në Kuvend. Kjo është një krizë e këtij Kuvendi. Ky është bërë i padobishëm dhe i padurueshëm. Opozita nuk mund të rrijë të bëhet dekor i juaji, për sa kohë që për çdo problem ju ktheni kokën në anën tjetër. Ky është Kuvendi i PD, me nënkryetare të PD-së”, - u shpreh Leskaj, e cila kërkoi reflektim nga mazhoranca. Pas kësaj, përfaqësuesit e opozitës braktisën sallën e Kuvendit në shenjë proteste ndaj këtij veprimi të Kryeparlamentares, ndërkohë që kjo e fundit bëri më dije se propozimi i Bejës do të bashkëshoqërohet me propozimin e dy deputetëve të PS-së, për ndryshimin e rregullores. Ndryshimin e rregullores e ka bërë me dije dje edhe kryeministri Sali Berisha, i cili në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ka deklaruar se kandidaturat duhet të shqyrtohen njësoj si ambasadorët në Komisionin e Jashtëm.