Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS-së, Edi Rama, ndodhen në Bruksel me axhenda të ndara
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ndodhen në të njëjtën kohë në Bruksel, por me axhenda krejtësisht të ndara nga njëri-tjetri. Kreu i ekzekutivit pritet të marrë pjesë në Samitin e nivelit të lartë mbi Ballkanin, i organizuar nga Miqtë e Europës, ku dhe do të referojë lidhur me rolin e Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit. Ndërsa një axhendë të një natyre krejt tjetër do të ndjekë kryetari i opozitës, Edi Rama. Ky i fundit, bashkë edhe me ekipin e programit të PS-së, do të zhvillojë takime në të cilat do të diskutohet për aspektet e veçanta të programit dhe koordinimin me prioritetet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, këto takime do të shërbejnë për të shkëmbyer eksperiencën e specialistëve të BE-së me ekipin që po harton programin e PS-së. Dje paradite, Rama u takua me Pierre Mirel, Drejtorin e Drejtorisë së Zgjerimit për Shqipërinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Në këtë takim, merrte pjesë edhe Dirk Lange, Drejtori i Njësisë për Zgjerimin pranë Komisionit Evropian për Shqipërinë. Duke iu referuar situatës politike në vend, Rama theksoi me shqetësim prirjen e maxhorancës për të cenuar pavarësinë e sistemit gjyqësor. Ai tha se, “Kryeministri kërkon të kontrollojë sistemin gjyqësor, dhe shembulli më i mirë ishte vota politike ndaj 5 kandidaturave për Gjykatën e Lartë, të cilat nuk u miratuan, megjithëse disa prej tyre kishin eksperiencë dhe kualifikim të pëlqyeshëm”. Gjithashtu, Rama shprehu shqetësim edhe për procesin e reformës zgjedhore, duke qenë se qeveria nuk ka filluar ende me procesin e kartave të identitetit dhe aspektet e tjera të infrastrukturës zgjedhore. Takimet e ekipit të programit do të vazhdojnë sot me një takim për bujqësinë, ku Drejtori i Zyrës së Zgjerimit për Bujqësinë, Aldo Longo, do të bashkëbisedojë me ekspertët mbi aspektet e programit të PS-së për bujqësinë dhe prioritetet e BE-së.