Rama: Kartat e regjistri, parakushtet për zgjedhje të lira
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me kryetarin e grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Martin Schulz. Ky i fundit ka përgëzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, për procesin gjithëpërfshirës të hartimit të programit të ri të PSSH, si dhe për iniciativat që ka ndërmarrë
Nevila Perndoj
Merkure, 25 Qershor 2008 08:13:00
Kryetari i PS-së, Edi Rama, vijon axhendën e tij në Bruksel me përfaqësues të nivelit të lartë
TIRANË- Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me kryetarin e grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Martin Schulz. Ky i fundit ka përgëzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, për procesin gjithëpërfshirës të hartimit të programit të ri të PSSH, si dhe për iniciativat që ka ndërmarrë PS në kuadër të reformave të rëndësishme të shtetit. Nga ana e tij, kryesocialisti Edi Rama theksoi rëndësinë e procesit të hartimit të programit duke e cilësuar si “shpirtin e qeverisjes”. Gjithashtu Rama shprehu shqetësimin për Reformën Zgjedhore, veçanërisht për procesin e prodhimit të Kartave të Identitetit dhe Regjistrit Zgjedhor. Rama i konsideroi këto si parakushte themelore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Gjithashtu, Rama shprehu shqetësim edhe për veprimet e mazhorancës, të cilat, sipas tij, kanë për synim të cenojnë autonominë e institucioneve të pavarura. Shembulli më i fundit, sipas tij,ishte votimi kundër dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nga ana e tij, Schulz u shpreh se nuk mjaftojnë vetëm deklaratat për reforma, por duhen veprime konkrete dhe vullnet i qartë. Ndërkohë, gjatë pasdites, kryetari i PS-së, Rama, takoi Presidentin e PES-së, Poul Nyrup Rasmussen. Ky i fundit theksoi domosdoshmërinë që qeveria shqiptare të tregojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, ai theksoi se perspektiva evropiane është rruga e vetme e Shqipërisë, perspektivë që duhet të realizohet nëpërmjet reformave të rëndësishme që sigurojnë shtetin ligjor dhe demokracinë. Pasi i shpjegoi ecurinë e procesit të hartimit të programit të PS, Rama kërkoi mbështetje për procesin e hartimit të programit me eksperiencat më të mira të rajonit.
|