Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i kërkon Komisionit të Ligjeve të shqyrtojë draftet për pastërtinë e figurës
TIRANË- Prej dy vitesh, tre draftet për pastërtinë e figurës së zyrtarëve janë “arkivuar” në zyrat e Kuvendit, duke u shtyrë pafundësisht dhe pa asnjë shkak. U desh përplasja e fundit mes Presidentit të Republikës dhe Partisë Demokratike lidhur me kriteret për anëtarët e Gjykatës së Lartë, që demokratët ta risjellin në vëmendje, me qëllim miratimin në Kuvend me procedurë të përshpejtuar. Madje, demokratët duket se e kanë paragjykuar këtë proces, sa kohë që ata duan që kreu i shtetit të marrë parasysh kriterin kryesor që i sugjeruan për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, e pikërisht, atë të mosmarrjes pjesë në procese politike, që, sipas tyre, nënkuptonte edhe bashkëpunimin me ish-Sigurimin e Shtetit. Edhe pse Presidenti i Republikës nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare, pasi administrimi i kritereve është një çështje që po e shqyrton grupi i punës i ngritur prej tij, demokratët po i paraprijnë përmbushjes me çdo kusht të kushtit kryesor, duke miratuar ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka kërkuar dje Komisionit për Çështjet Ligjore, shqyrtimin me përparësi të propozimeve për projektligjin "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve” dhe kalimin sa më parë në seancë plenare.
“Do të kërkoja që këto projektligje të shqyrtohen me përparësi nga komisioni juaj, për të mundësuar sa më shpejt kalimin e tyre në seancë plenare”, - shkruan Topalli në letrën e saj dërguar Komisionit të Ligjeve. Në projektligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve”, paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së, ndër të tjera thuhet se subjekt të verifikimit të përgjithshëm, do të jenë edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Pak kohë më parë, kryeministri Sali Berisha mandatoi deputetin e PD-së, Aleksandër Biberaj, që të fillonte negociatat mes dy partitë e tjera propozuese, PS dhe PDK, porse gjithçka po shkonte drejt shtyrjes për në muajin Shtator, sa kohë që për deputetët nuk kishte asnjë ngut. Por situata e krijuar së fundmi në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave nga ana e Presidentit, ka bërë që demokratët të luajnë çdo gur me qëllim dekretimin nga ana e Presidentit të gjyqtarëve sipas kritereve që ata bënë publike pak kohë më parë. Ndërkohë nisur nga përmbajtja, miratimi i një drafti të përbashkët, në thelb, synon njohjen nga opinioni publik të atyre zyrtarëve të lartë dikur bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.