Deputeti i PS-së, Kastriot Islami tha dje se anëtarësimi në NATO dhe statusi i vendit kandidat në BE varen nga standardet e zgjedhjeve të ardhshme
Z.Islami, Bashkimi Evropian i vuri kusht Shqipërisë që të përfundojë reformën zgjedhore brenda muajit shtator. Mendoni se një afat i tillë është i mjaftueshëm për ta përfunduar gjithë reformën?
Më duhet të sqaroj se tani, nën drejtimin e Sekretarit për Çështjet Ligjore të PSSH, po punon një grup juristësh në PSSH për aspektin ligjor të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Përsa i përket afateve, vazhdoj të besoj se brenda këtij sesioni do të kryhet aspekti ligjor i reformës zgjedhore: Më konkretisht, bëhet fjalë për reflektimin e sistemit zgjedhor në kodin elektoral për çështjen e administrimit të zgjedhjeve, të ankimimit, të financimit të fushatave elektorale, të medias, e tjerë. Të gjithë këto çështje janë pjesë e rekomandimeve të misioneve të observimit të zgjedhjeve të vitit 2005 dhe 2007. Do të mbetet për t’u realizuar në kohën e përshtatshme aspekti i infrastrukturës zgjedhore, kartat e identitetit dhe listat e zgjedhësve të gjeneruara nga Regjistri Civil Themeltar, i përqendruar dhe elektronik. Në rast se kjo reformë nuk do të kryhet e plotë, gjë që do të rrezikonte kryerjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, të lira e demokratike, e në përputhje të plotë me standardet demokratike, atëherë procesi i anëtarësimit në NATO dhe dhënia e statusit të vendit kandidat për në BE do të kompromentoheshin shumë rëndë.
Një pyetje që lind natyrshëm, është edhe ajo për Komisionin e Reformës Zgjedhore. Do të ketë një komision të rikompozuar nga e para, apo do të zgjatet mandati i komisionit aktual?
Kjo, siç e keni vënë re edhe nga deklarimet publike, është një çështje që mbetet e hapur për diskutim. Të gjithë opsionet janë të mundshme. Vendimtare mbeten shqyrtimi në seancë plenare dhe miratimi me mbështetje të gjerë sipas kërkesave procedurale ligjore i të gjithë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Çdo lloj komisioni është mekanizëm ndërmjetës, i nevojshëm për debatin politiko-teknik, por jo final, dhe nuk mund të jetë në asnjë mënyrë bllokues i reformës zgjedhore. Përgjegjësinë për kryerjen e reformës e ka Kuvendi dhe asnjë lloj komisioni i rrjedhur prej tij, sido që të jetë formatuar. Vazhdoj të besoj se Kuvendi i ka të gjithë mundësitë dhe mbetet i angazhuar të përfundojë reformën zgjedhore në kohë, gjithçka tjetër është anësore, ndihmëse dhe nuk mundet të jetë penguese. Për rrjedhojë, një kuvend që ka vullnet për të kryer reformën zgjedhore, do të gjejë edhe zgjidhjen për formatin e komisionit.
Është deklaruar publikisht që PS ka gati draftin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Cilat janë pikat kryesore të tij?
Përsëris se është një grup juristësh që punon për ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor. PS ka përgatitur platformën për reformën zgjedhore. Çështjet kryesore janë ato që tashmë dihen, ripërsëris: i) reflektimi i sistemit zgjedhor në Kodin Elektoral; ii) administrimi i zgjedhjeve; iii) ankimimi; iv) financimi i fushatave elektorale dhe eventualisht i partive politike; v) media në fushatën elektorale, e tjerë.
Konkretisht, çfarë zgjidhje jep PS për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duhet të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme apo PS jep një zgjidhje të ndërmjetme?
Së pari, opsioni i Ministrisë së Brendshme është i përjashtuar, të paktën si i parakohshëm për kushtet e Shqipërisë. Sidoqoftë, për PS, të gjitha çështjet e trajtuara janë opsionale, nisur nga fakti që reforma kryhet në bashkëveprim me të gjithë faktorët politikë në kuvend. Fleksibiliteti është parametër i rëndësishëm në këtë bashkëveprim. Përmes kësaj teknologjie trajtohen edhe çështja e administrimit të zgjedhjeve, ku përbërja, kompetencat dhe funksionimi i komisioneve zgjedhore, që nga komisioni i qendrës së qotimit, deri tek Komisioni Qendror. Për përbërjen, dimensionin, kompetencat dhe mënyrën e funksionimit të komisioneve, parimisht do të jenë në shqyrtim: i) opsioni aktual i përmirësuar; ii) opsioni i komisioneve të depolitizuar dhe administrative dhe; iii) opsioni i përzier. Po ashtu, komisionet duhet të jenë me kompaktë, më funksionalë, me detyra të qarta administrimi dhe jobllokues, kurse komisionerët do të orientohen vetëm nga ligji dhe jo nga partitë politike.
Partitë e vogla pretendojnë ende për një prag të barabartë për të gjitha qarqet. Ju si PS, në draftin që keni hartuar e konsideroni këtë çështje plotësisht të mbyllur dhe çfarë zgjidhje jepni për komisionet e numërimit të votave. A duhet të jenë ato politike apo teknike?
Kuvendi tanimë është i detyruar të reflektojë në Kodin Zgjedhor sistemin elektoral të përkufizuar në Kushtetutë. Në këtë kuptim, në Kushtetutë thuhet se Kuvendi do të ketë 140 deputetë. Sistemi do të jetë proporcional, me lista shumemërore-rajonale. Rajonet zgjedhore do të përputhen me ndarjen administrative; besoj se Kuvendi do të miratojë atë që quhet Qark. Listat zgjedhore të kandidateve do të jenë paraprakisht të renditura. Ky është kuadri brenda të cilit juristët duhet të formulojnë dispozitat në Kodin Zgjedhor për sistemin elektoral, aspekte të tjera teknike janë të hapura për diskutim. Çështja e komisioneve te numërimit besoj se do të zgjidhet brenda filozofisë së përbërjes dhe funksionimit të komisioneve të administrimit të zgjedhjeve, siç përmenda pak më sipër.
PD është shprehur dakord për draftin tuaj, ndërkohë që drafti nuk është bërë publik. A tregon kjo për një marrëveshje të nëndheshme midis dy partive të mëdha dhe reforma zgjedhore, a do ketë fatin e ndryshimeve kushtetuese të cilat u miratuan vetëm nga dy partitë e mëdha?
Së pari, duhet të risqaroj se ndryshimet kushtetuese u miratuan nga 118 deputetë dhe vetëm 17 votuan kundër, pra 24 deputetë më shumë sesa maxhoranca kushtetuese prej 94 deputetësh dhe rreth 20 deputetë më shumë sesa kanë së bashku PD dhe PS. Pra, kanë votuar shumë deputetë të partive të tjera, të quajtura të vogla. Lidhur me “marrëveshjen e nëndheshme” mendoj se është pjesa më qesharake e të gjithë kësaj historie. Historia e konspiracionit në vendet ish-komuniste, për fatin e keq, po transferohet si virus i keq edhe tek një pjesë e brezit të ri, përfshi edhe atë politik. Nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë midis PS dhe PD, por do të tentohet gjithnjë nga PS bashkëveprimi, bashkëpunimi dhe vendimmarrja me të gjithë faktorët e rëndësishëm politikë, dhe aq më tepër për reformat e rëndësishme integruese. Dhe akoma më tepër për Reformën Zgjedhore, që është prioriteti i prioriteteve aktualisht dhe në interes direkt për PS. Do të ketë vetëm bashkëveprim transparent midis të gjithë faktorëve politikë, përfshi edhe PD e PS, dhe do të jenë faktorët politikë kuvendorë vendimmarrës që do të thonë fjalën e fundit. Zgjuarsia e cilado force politike, e madhe apo e vogël, është që të bëhet pjesë e vendimmarrjes dhe duke dhënë kontribut, të sigurojë njëkohësisht realizimin e objektivave të saj realiste. Kur faktorët vendimmarrës nuk merren vesh, ka qenë po i njëjti grupim që ka ngritur zërin për mungesë stabiliteti për shkak të mëdhenjve, po ashtu si tani që ankohen për marrëveshje të tyre. Gjithçka do të debatohet, shqyrtohet e miratohet në Kuvend, në mënyrë transparente dhe konform procedurave ligjore. Shpresoj që edhe koha në dispozicion të jetë e mjaftueshme për të gjithë, por nga ana tjetër koha duhet të përdoret për veprime konstruktive dhe jo për zhurmë apo obstruksion.
Një pyetje konkrete përsa i përket llogarive që ka bërë PS për parashikimin e zgjedhjeve të ardhshme. Sa ju favorizon ju ky lloj sistemi dhe a parashikon PS që të hyjë në zgjedhje me koalicion parazgjedhor me partitë aleate?
Kemi bërë të gjitha llojet e simulimeve, që janë llogaritje hipotetike të bazuara në të dhëna teorike të përpunuara nga bazat e të dhënave të të gjithë zgjedhjeve të mëparshme, apo nga sondazhet e kryera gjatë kësaj periudhe. Llogaritjet përfundimtare varen nga votat e zgjedhësve, dhe ne me simulimet tona tentojmë t’i afrohemi këtij realiteti zgjedhor që do të ndodhë. Por përsëris, për t’i dhënë përgjigje të saktë pyetjes suaj, më duhet rezultati i ditës së zgjedhjeve. Unë mund të them se pavarësisht sistemit zgjedhor, mbështetja për PS është në rritje të konsiderueshme, si e krahasuar me atë të vitit 2005, ashtu edhe nga progresi dinamik nga muaji në muaj. Ne jemi përqendruar në veprime që rrisin elektoratin sepse vetëm kjo garanton fitoren. Deri tani, cilido sistem zgjedhor të zbatohej në Shqipëri, pra ai që ishte, ky që është, apo edhe ndonjë tjetër, PS është forca e parë në vend, përsa i përket mbështetjes së elektoratit me vota. Përsa i përket çështjes së koalicioneve, kjo nuk ka shumë lidhje me sistemin zgjedhor, në kuptimin që formimi apo jo i koalicioneve parazgjedhore është çështje më shumë politike sesa teknike, e projektuar deri në qeverisjen e ardhshme. Përgjithësisht, sistemet proporcionale stimulojnë, por nuk përjashtojnë koalicionet pas-zgjedhore. Kjo është një çështje që nuk lidhet me reformën zgjedhore, dhe natyrisht do të shqyrtohet e diskutohet në momentin e përshtatshëm. Taktikat elektoralo-politike lejojnë të optimizohet raporti i kostove me suksesin, mund t’ju them se pikërisht me të njëjtën teknologji do të analizohet e qaset edhe çështja e koalicioneve, para apo pas zgjedhore. Objektivi kryesor i PS është fitimi i zgjedhjeve dhe garantimi i një qeverisje të mirë dhe të suksesshme. Por në konkurrim gjithçka mbetet relative, dhe fiton ai që është më i suksesshmi relativisht. Edhe kjo do të jetë në konsideratë gjatë kësaj analize politiko-teknike, përfshi edhe çështjen e koalicioneve, i cili është një parametër që ndërhyn në këto llogaritje.
Pikat kryesore
Përgjegjës për reformën zgjedhore është Kuvendi dhe jo komisionet kuvendore.
PSSH, e hapur për të diskutuar të gjithë opsionet e administrimit të zgjedhjeve.Në Kodin Zgjedhor do të përkthehet për sistemin zgjedhor, korniza kushtetuese. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, rezultat i bashkëveprimit të forcave politike vendimmarrëse.
Fitoren e zgjedhjeve të ardhshme e përcaktojnë zgjedhësit dhe jo sistemi zgjedhor.
Në rast se kjo reformë nuk do të kryhet e plotë, gjë që do të rrezikonte kryerjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, të lira e demokratike, e në përputhje të plotë me standardet demokratike, atëherë procesi i anëtarësimit në NATO dhe dhënia e statusit të vendit kandidat për në BE do të kompromentoheshin shumë rëndë.
Përgjegjësinë për kryerjen e reformës e ka Kuvendi dhe asnjë lloj komisioni i rrjedhur prej tij, sido që të jetë formatuar. Vazhdoj të besoj se Kuvendi i ka të gjithë mundësitë dhe mbetet i angazhuar të përfundojë Reformën Zgjedhore në kohë, gjithçka tjetër është anësore, ndihmëse dhe nuk mundet të jetë penguese.
Sistemi do të jetë proporcional, me lista shumemërore rajonale. Rajonet zgjedhore do të përputhen me ndarjen administrative; besoj se Kuvendi do të miratojë atë që quhet Qark. Listat zgjedhore të kandidateve do të jenë paraprakisht të renditura. Ky është kuadri brenda të cilit juristët duhet të formulojnë dispozitat në Kodin Zgjedhor për sistemin elektoral, aspekte të tjera teknike janë të hapura për diskutim.
Përgjithësisht, sistemet proporcionale stimulojnë, por nuk përjashtojnë koalicionet pas-zgjedhore. Kjo është një çështje që nuk lidhet me reformën zgjedhore, dhe natyrisht do të shqyrtohet e diskutohet në momentin e përshtatshëm.